Foto: MKRS

Prezantohet në Prizren projekti i rigjenerimit urban në rrugën 'Marin Barleti’

Projekti finali “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren” është prezantuar sot në DokuKino në Prizren.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC ma ndryshe”.

Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit.

Përmes një njoftimi “Ec ma ndryshe”, bën më ditur se gjatë këtij prezantimi është paraqitur zgjidhja përfundimtare e projektit për të 14 ndërtesat e trashëgimisë kulturore në këtë rrugë përfshirë edhe intervenimet në ndërtesat e reja si dhe planin e dizajnit urban të lagjes.

Qëllimi kryesor i projektit, sipas ‘Ec ma ndryshe” është krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Nga një fjalë hyrës kanë mbajtur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, Ambasadori Britanik në Prishtinë Ruairi O’Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Libor Chlad dhe kryetari i Komunës së Prizrenit  Mytaher Haskuka.