Pretendimi i nënës: Djali mu rrah në stacionin e policisë

L.G, nga Prishtina, e cila ka dashur të mbetet anonim për publikun, ka raportuar në KALLXO.com për një përleshje të djalit të saj, rast ky në të cilin ajo pretendon se është përfshirë edhe një zyrtar policor i Stacionit Policor “ Qendra”, në Prishtinë, i cili e ka rrahur djalin e saj.

“Djali im R.G para disa ditëve kishte problem me personin E.A, i cili e kishte provokuar me fjalë të rënda, dhe janë përleshur mes vete. Djali im nuk ishte i informuar me ftesë nga ana e policisë se duhet të paraqitet në intervistë në Stacionin Policor në lidhje me rastin, dhe pas përleshjes, me datën 16 qershor rreth orës 02:00, djali im është arrestuar në afërsi të Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë”, ka rrëfyer nëna e të arrestuarit.

Pas arrestimit, nënë e të arrestuarit po pretendon se gjatë kohës sa djali i saj ndodhej në stacionin policor “Qendra”, në Prishtinë, ai u rrah nga një zyrtar policor, D.A, i cili sipas saj është djali i axhës së E.A, me të cilin djali i saj u përlesh.

“Pas arrestimit është dërguar ne Stacionin Policor “Qendra”, aty është mbajtur nga hetuesit të  cilët në një moment janë larguar nga zyra dhe e kanë lënë të vetmuar me duar të lidhura me pranga mbrapa trupit .Pas pak në zyrë ka hyr një person me rroba civile, i cili kemi kuptuar se është zyrtar policor, i  cili është djali i axhës së E.A,  me të cilin djali ynë ka pasur problem”, tregon nëna e të arrestuarit.

Sipas saj, zyrtari policor D.A,  duke qenë zyrtar policor në Stacionin Policor “Qendra”, e ka shfrytëzuar mundësinë që të hyjë në zyrë dhe të ushtroj dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit të saj, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup.

“Lidhur me këtë ka raport mjekësor pasi që i është ofruar ndihma mjekësore edhe pse me shume vonesë nga Stacioni Policor “Qendra” deri sa ishte në mbajtje”, tregon nëna e të arrestuarit.

Ajo ka treguar se djali i saj është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të cilin thotë se është e shqetësuar për keqtrajtimet dhe kërcënimet që i janë bërë nga zyrtari policor.

“Jam tej mase e shqetësuar se  si është e mundur që djali im në momentin kur ishte i arrestuar dhe mbahej në zyrë të Stacionit Policor, i lidhur me pranga mbrapa trupit , në kujdes policor ku përfshihet edhe siguria e të dyshuarit , të lejohet një zyrtar policor  qe nuk ishte i angazhuar  me rastin dhe ky zyrtar policor ishte djali  axhës së E.A të hyjë në zyrë në momentin kur djali ka qene i vetmuar dhe të ushtroj dhune fizike dhe psikike, duke e kërcënuar dhe duke e sharë” rrëfen ajo.

Ajo ka thënë për KALLXO.com se duke pasur parasysh dhënë dhe keqtrajtimin qe i është bërë djali të saj në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, ku  siguria duhet te jetë në nivelin me të lartë, shprehet e brengosur se djali i saj edhe në Qendrën e Paraburgimit është i rrezikuar  çdo ditë nga zyrtari policor D.A, ose nga  njerëzit e tij .

“Askush nuk mund të garantoj që djali im nuk është i rrezikuar edhe në Qendrën e paraburgimit për faktin se ka ndodhur një herë në vendin ku ne e shohim si vendi me i sigurt, Stacionin Policor “, rrëfen nëna e tij.

KALLXO.com në lidhje me këtë rast ka kontaktuar me Stacionin Policor “Qendra”, në Prishtinë, për të pyetur nëse janë të informuar për rastin në fjalë.

“Stacioni policor “Qendra”, në Prishtinë, për rastin në fjalë ka zbatuar një urdhër arrest i cili është lëshuar për të dyshuarin R.G. I njëjti është arrestuar nga policia, ku i është gjetur dhe konfiskuar një armë në brez në momentin e arrestimit. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ne si polici jemi të njoftuar se në lidhje me këtë rast është duke u marrë edhe IPK”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërsa, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për KALLXO.com se kanë filluar hetimet në lidhje me këtë rast.

“Inspektorati Policor i Kosovë ka pranuar ankesën nga nëna e të dëmtuarit R. G dhe pas trajtimit rasti është dërguar në Departamentin e Hetimeve për hetime te mëtejshme”, thuhet në përgjigje.