Pretendimet e Rexhepit: Njerëz të PDK, VV e AAK votuan për kryetaren e re të nëndegës së LDK-së

Zgjedhja e kryetares së re të nëndegës të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Përlepnicë të Gjilanit, Shkëndije Avdiu, po kundërshtohet nga anëtarët e kësaj partie.

Driton Rexhepi, ish-kryetar i nëndegës në Përlepnicë nga viti 2009 deri më 2017, ka thënë për KALLXO.com se kryetarja e re e zgjedhur të dielën mori mandatin në kundërshtim me rregulloren e partisë.

“Kuvendi është mbajtur në mënyrë jo të rregullt. Sepse, në bazë të rregullores së brendshme për zgjedhje që është e miratuar nga organet e LDK-së, neni i katërt i saj thotë “Nëse marrin pjesë mbi 100 votues, kuvendi duhet me i zgjedhë delegatët prej 31 deri në 35”, ndërsa në rastin tonë kanë marrë pjesë diku 187 vetë”, ka thënë Rexhepi që ka qenë pjesë e kryesisë së punës në kuvendin e datës 29 majit në Përlepnicë.

Për më tepër, ai ka thënë se zgjedhja e Shkëndije Avdiut ka ndodhur me vota të njerëzve të partive të tjera.

“Në këtë kuvend kanë marr pjesë njerëz të partive tjera, të PDK-së, të Vetëvendosjes, të AAK e AKR-së. Këta persona kanë votuar që të zgjidhet kryetarja e re e nëndegës, Shkëndija”, tha ai.

Ai ka kërkuar nga kryetari i degës së Gjilanit që të anulojë këtë kuvend, sipas tij të parregullt.

“Unë si ish-kryetar i nëndegës kërkoj nga kryetari i degës që ta anulojë këtë kuvend. Ne nuk lejojmë që në mënyrë autokratike të vendosen gjërat ashtu”, ka thënë Rexhepi.

Tutje, ish- kryetari i nëndegës së LDK-së ka paralajmëruar dorëheqjen nga nëndega nëse nuk ndërmerren hapa për të anuluar kuvendin e mbajtur të dielën.

Situata, gjatë kuvendit, sipas Rexhepit ka qenë e rëndë dhe shumë lehtë ka mundur të eskalojë në përleshje fizike.

Kandidatë për kryetar të nëndegës në Përlepnicë të Gjilanit kanë qenë Shkëndije Avdiu, Besfort Fazliu dhe Nazim Rrustemi.

Në këto zgjedhje fituese doli Shkëndije Avdiu. Këtë ajo e kumtoi përmes një statusi në “Facebook”.

“Me datën 19.5.2019 u mbajtën zgjedhjet e nëndegës së LDK-së në fshatin Përlepnicë. Nga këto zgjedhje me pjesëmarrje masive të qytetarëve tanë, u zgjodha kryetare e nëndegës”, shkroi ajo.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, por kontakti me të ka qenë i pamundur deri në publikimin e këtij raporti.

KALLXO.com ka raportuar sot gjatë ditës për problemet në nëndegën e LDK-së në fshatin Përlepnicë të Gjilanit.

https://kallxo.com/probleme-edhe-ne-nje-nendege-te-ldk-se-ne-gjilan/

www.kallxo.com