Konferenca e BIRN për sulmet e shtuara ndaj medias dhe organizatave në Balkan. Foto: BIRN

Presioni po Rritet mbi Median në Ballkan

Ky është konkluzioni i konferencës “Realiteti i ri – Sulmet e shtuara ndaj medias dhe organizatave në Balkan” organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

Në takimin bienal të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, Ana Petruseva, drejtoreshë e BIRN Maqedonia, tha se situata me të cilën përballet media në Ballkan “duket se po ecën nga keq në edhe më keq”.

Përveç presioneve standarde politike dhe financiare, tha ajo, media po përballet me lloje të reja presionesh – etiketimi i gazetarëve dhe mediave si spiunë apo mercenarë të huaj – si dhe hapjen e një numri të madh faqesh interneti me lajme të rreme.

Petruseva tha se përmbytja me lajme të rreme po “krijon një zhurmues mbi median” në të cilin për publikun po bëhet e vështirë për publikun që të dallojë mes informacionit të vërtetë dhe atij të rremë, e për rrjedhojë publiku po humbet besimin te media në përgjithësi.

“Njerëzit po humbasin besimin në media, dhe po fillojnë të shohin çdo gjë si propagandë dhe promocion,” tha Petruseva në një konferencë të shtunën në Kopaonik, Serbi, duke iu referuar sfidave të reja me të cilat përballen mediat në Ballkan.

Anëtari i Bordit të BIRN dhe Presidenti i Planit Marshall të Austrisë, Wolfgang Petritsch paralajmëroi që vendet e Ballkanit të mos besojnë gjithmonë te mbështetja nga BE, për shkak se shumë në Bruksel shohin “stabilitetin si prioritet” mbi reformat.

“Pozicioni i BE-së është dobësuar për shkak të problemeve të saj të brendshme. Për sa kohë ajo nuk përfundon procesin e reformave të brendshme, nuk do të ketë rol të fortë të BE-së në rajon,” tha ai, duke vërejtur se ndërsa premtimi për zgjerimin e BE-së po vyshket, regjimet autoritare në rajon po forcohen.

“Për shkak se nuk është krijuar një sistem se si duhet të menaxhohet zgjerimi, situata do të mbetet “e paqartë,” tha Petritsch.

Analisti politik për “The Economist” dhe eksperti për Ballkanin Tim Judah tha se politika e “stabilitokracisë”, në të cilën BE dhe SHBA duket se tolerojnë udhëheqës autoritarë në Ballkan të cilët japin stabilitet, është në thelb një përgjigje pragmatike.

“Kjo do të thotë të punosh me udhëheqësit që ne kemi dhe të punosh me Ballkanin në mënyrën siç është,” tha ai.

Judah that se teksa influenca e Perëndimit ka rënë, ajo e Rusisë është rritur, por kjo influencë ka pasur rënie në muajt e fundit. Ai dha këtu shëmbullin sesi Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski është zëvendësuar.

“Cilat janë interesat e Rusisë? Është e thjeshtë, ata duan të krijojnë brenda rajonit një territor pro rus ose neutral,” tha Judah.

Anëtari i Bordit të BIRN dhe Studiuesi Vizitues në Carnegie Europe Stefan Lehne tha se vendet e Ballkanit mund të lëvizin më pranë anëtarësimit në BE se sa presin disa.

“Paralelisht me procesin shumë të ngadaltë dhe të mërzitshëm të zgjerimit duhet të ketë dhe një proces horizontal. Vendet e Ballkanit nuk duhen vetëm të antarësohen sipas një radhe të caktuar, por politikë mbas politike,” Lehne tha, duke dhënë si shëmbull për këtë pjesmarrjen e vendeve të Ballkanit në Komunitetin e Energjisë.

Anëtari i Bordit të BIRN dhe eksperti i medias Robert Bierman foli për eksperiencën e kohës së fundit të medias në Shtetet e Bashkuara, ku administrata e Presidentit Donald Trump ka shënjestruar median.

“Çdo dobësi në media do të vihet në dukje. Nuk ka rëndësi nëse dy gjëra janë gabim dhe 98 të tjera janë saktë, këto dy gjëra do të bëhen më të rëndësishmet në botë. Nuk ka rëndësi nëse administrata po bën 98 gjëra gabim dhe dy gjëra saktë,” tha Bierman.

Gjithsesi, ai shtoi më me optimizëm se audienca Amerikane duket se është më e gatshme tani për të paguar për përmbajtje editoriale, duke shtuar se media po vijon gjithashtu të bëjë punën e vet.

Para panelit, Drejtoresha Rajonale e BIRN, Gordana Igric, prezantoi rezultatet e projekteve të rrjetit përgjatë vitit të fundit, duke vërejtur se rrjeti ka mbërritur në mënyrë të drejtpërdrejtë 5 milionë njerëz.

“Përgjatë vitit të fundit ky numër është rritur me mbi gjysmë milioni njerëz,” tha ajo, duke shtuar se artikujt më të rëndësishëm kanë trajtuar çështje madhore të tilla si korrupsioni, problemet me prokurimet publike dhe koncesionet. Si rrjedhojë e investigimeve, zyrtarët janë shkarkuar dhe padi penale janë ngritur.

Gordana Igric, Drejtore Rajonale e BIRN

Igric tha se BIRN operon aktualisht 16 faqe interneti në gjuhë të ndryshme dhe ka prodhuar mbi 100 raporte televizive e filma si dhe ka mbajtur 50 trajnime përgjatë vitit të fundit.

Sipas Igric, BIRN është publikuar apo ripublikuar në shumë media të respektueshme të huaja të tilla si Guardian, BBC dhe Bloomberg. BIRN qe gjithashtu shumë aktiv në advokimin e dënimit të krimeve të luftës si dhe në zhvillimin e buxheteve me pjesëmarrje.

Takimi i përdyvitshëm i rrjetit të BIRN po zhvillohet nga 7 deri në 10 korrik në Malin Kopaonik, në Serbi.