Presidentja Kërkon Shtimin e Numrit të Grave në Institucionet e Sigurisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit ”Gratë në Institucionet e Sigurisë së Kosovës”.

Jahjaga në këtë takim tha se pjesëmarrja e barabartë e gruas në çdo segment të jetës, e sidomos në nivelin e vendimmarrjes qoftë atë lokal apo qendror është vlerë e shtuar për shoqërinë kosovare, dhe pasqyrim i identitetit të Republikës së Kosovës.

“Barazia gjinore po shndërrohet sot në një prej çështjeve më të theksuara në shoqëritë në botë, por gjithsesi edhe në shoqërinë tonë, duke kërkuar respektimin e të drejtës së gjithsecilit, një e drejtë e garantuar edhe me Kushtetutën e shtetit tonë që synon të ndërtohet mbi parimet e barazisë”, tha Jahjaga.

Ajo tha se Evropa juglindore, është një rajon që vazhdon të shihet si përgjithësisht patriarkal, dhe ku tradicionalisht sektori i sigurisë është konsideruar fushë e rezervuar vetëm për burra, edhe pse gjatë historisë shumë gra kanë luftuar krah për krah me burrat për çlirimin e vendit të tyre, gra që kanë dhënë kontribut shumë të çmuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit dhe në zhvillimin e demokracisë.

“Gruaja me rol vendimmarrës në institucionet e sigurisë është sinonim i një shoqërie të zhvilluar e demokratike dhe ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë çdo ditë për realizimin e këtij synimi”.

Sipas Atifete Jahjagës, gratë në institucionet e sigurisë e kanë ndryshuar perceptimin e qytetarëve për sigurinë, duke e bërë atë një institucion gjithëpërfshirës. Roli dhe kontributi i gruas është i pamohueshëm në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

“Gruaja në institucionet e sigurisë ka dëshmuar se roli i saj në shtetin që jemi duke e fuqizuar çdo ditë e më shumë, është shumë domethënës”, tha Presidentja Jahjaga.