Presidenti Thaçi suksesin e bursisteve në fushën e energjisë e lidh me dialogun Kosovë - Serbi

Është mbajtur konferenca “Women in Energy Scholarship Program”, e organizuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, në të cilën u ndanë 1 milion euro për 25 bursa të cilat do t’iu ndahen grave për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sektorin e energjisë.

Me këtë rast i pranishëm ishte edhe presidenti Thaçi përmendi rëndësinë e kësaj iniciative.

“Nga raportimet në media të krijohet përshtypja se merremi vetëm me taksën dhe dialogun. Tema shumë të rëndësishme për ne janë edhe arsimimi i fëmijëve si dhe punësimi i të rinjve. Në vitet e pas-pavarësisë kemi investuar rreth 200 milionë euro në infrastrukturën shkollore. Ju sot keni ndarë 1 milion euro për bursa për vajzat dhe gratë e Kosovës që të studiojnë në SHBA”, tha ai.

Presidenti Thaçi nuk la pa përmendur edhe dialogun me Serbinë si dhe arritjen e marrëveshjes finale, duke shtuar se interesi final është mbi votat e partive politike.

“Kosova është shumë me fat që ka një përkrahje unike nga SHBA-të, të gjithë janë të fokusuar me presidentin Trump që të na ndihmojë të arrijmë një marrëveshje me Serbinë. Ndihma gjeneroze e MÇ do ta arrijë qëllimin vetëm nëse Kosova është në paqe me veten. Ëndrra përfundimtare e Kosovës realizohet vetëm nëse dalim nga kjo gjendje e status-quos. E di që nuk fitohen shumë vota kur flitet për dialog, por mua nuk me duhet vota. Interesi nacional është mbi vota”, tha Thaçi.

Karen Sessions zëvendëspresidente në Millenium Challenge Corporation, foli për rëndësinë e këtij programi.

“Projekti i forcon mundësitë ekonomike, përkrah dhe ofron financim për bursa. Forcomi i mundësive ekonomike është mundësi thelbësore. Programet si ky i sotmi ndihmojnë shumë në avancimin dhe fuqizimin e grave”, tha ajo.

Sipas saj Kosova do të jetë më mirë e përgatitur të realizoj kërkesat në të ardhmen.

“Ne presim me padurim që të punojmë me qeverinë e Kosovës dhe ta realizojmë me sukses këtë program”, tha ajo.

Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, tha që këto 25 bursa janë 25 ekspertë të së ardhmes.

“Ne sot kemi një situatë ku sektori energjisë është i dominuar me burra, ku bordet janë të dominuar me burra. E kur i shohim ndërmarrjet publike që janë punëdhënësi kryesor janë të mbuluar me burra. 25 bursa nuk janë shumë, por janë 25 ekspertë aktual që do ta ndihmojnë vendin shumë”, tha Lluka.

Faza e aplikimit do të jetë deri më 7 prill. Kandidatët do të intervistohen prej 15-19 prill dhe 25-29 prill.