Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri francez Alain Juppé - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Thaçi Dekoron ish-Kryeministrin Francez

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, e ka takuar edhe ish-kryeministrin francez Alain Juppé, të cilin e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Alain Juppé në vitet 1993-1995 ishte ministër i Punëve të Jashtme të Francës, në vitet 1995-1997 ishte Kryeministër i Francës dhe nga viti 2011 kishte shërbyer sërish si ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Europiane.​

“Ky urdhër u jepet në vitin jubilar të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Franca është ndër shtetet e para që paralajmëroi dhe njohu pavarësinë e Kosovës. Prandaj, Kosova është përjetë mirënjohëse ndaj shtetit dhe popullit mik francez”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi sipas një komunikate të Presidencës.

Ish-kryeministrin francez Alain Juppé, presidenti Thaçi e vlerësoi si një burrështetas me një karrierë të pasur në shërbimin publik, me ndikim jo vetëm për francezët, por edhe për popujt e tjerë në botë.

Në anën tjetër, ish-kryeministri francez u shpreh i nderuar me medaljen “Urdhri i Lirisë”, të ndarë nga presidenti Thaçi.

Ai theksoi se e mbështetë qeverinë aktuale të Francës dhe politikën e saj për forcimin e Bashkimit Europian dhe anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian duhet të bëhet me kujdes dhe të jetë i qëndrueshëm”, u shpreh Alain Juppé.