Hashim Thaçi, president

Presidenti përsëri flet për fazën finale të dialogut me Serbinë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi sërish doli sot në konferencë para gazetarëve për t`i ripërsëritur qëndrimet e tij të ripërsëritura tashmë disa herë. Një nga ndryshimet përpos deklaratave të ripërsëritura, ishte vendi ku ai e mbajti konferencën për gazetarë, pasi kësaj radhe kishte vendosur të dilte nga holli i Presidencës për ta mbajtur konferencën në oborr.

Thaçi tha se falënderon kryeparlamentarin Kadri Veseli që i ka mbledhur liderët për të diskutuar rreth fazës së fundit të dialogut, por nuk komentoi draft-rezolutën.

Ai tha se nuk mund ta kalojë askush Kuvendin, por as ta ndaloj referendumin.

“Kjo fazë përveç paraqitjes në akademi përkujtimore, kërkon shkathtësi, mençuri dhe vizion”, tha ai.

Në konferencë për media, Thaçi tha se procesi i liberalizimit duhet të ndodhë tani dhe se ky proces i stërzgjatur mund ta humb kuptimin.

“Është shumë e rëndësishme të jemi të bashkuar në procesin për fazën finale të dialogut. Ftoj përsëri pozitën dhe opozitën të jemi bashkë në këtë fazë”, tha Thaçi.

Ai foli përsëri edhe për idenë e tij për korrigjimin e kufijve.

“Nuk do të ketë kufij në vija etnike. Unë kam dhënë një nga idetë që në kuadër të marrëveshjes finale të jetë korrigjimi i kufijve, integrimi i Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Por, në asnjë rrethanë s’kam folur për vija etnike”, tha ai.

Ai në pyetjet e gazetarëve se si i komenton deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të pacenueshëm dhe nuk do të diskutohen, tha se  nuk i komenton deklaratat e liderëve dhe se bashkëpunon me të gjithë.

Ndryshe sot gjatë ditës kryeparlamentari Kadri Veseli ka mbledhur në takim partnerët e tij të koalicionit qeverisës më të cilët ka nënshkruar nën draft rezolutë për dialogun Kosovë-Serbi.

 

https://kallxo.com/kjo-eshte-draft-rezoluta-e-pozites-per-dialogun-dokument/