Presidenti në mesin e Batalionit Atlantiku: As oqeanet nuk ju ndalen t’i bashkoheshit UÇK-së

Presidenti i Kosovës ka takuar ish- ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në batalionin “Atlantiku.

Në një postim në “Facebook”, Thaçi ka deklaruar se pjesëtaret e “Atlantikut” nuk i kishin ndaluar as oqeanet për të iu bashkangjitur UÇK-së.

Deklarimit në “Facebook”, shefi i shtetit ia ka bashkangjitur edhe një fotografi në qendër të Prishtinës, afër shtatores së Skënderbeut.

“Në mesin e pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku”, të cilët ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë e kishin shndërruar në mision. As oqeanet nuk ishin pengesë që t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! HTH”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, ish-komandanti i batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, theksoi se rrugëtimi i Atlantikut ishte pjesë e një angazhimi shqiptaro-amerikan përgjatë dekadave në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Angazhimi i drejtpërdrejtë i batalionit në luftë, në mënyrë të organizuar nga fondi ‘Vendlindja Thërret’ dhe veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, bënë që ta ketë edhe jehonën e vet, edhe mbështetjen e rëndësishme që ia dha luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Shehu.

Pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku”, kreu i shtetit u ka thënë se ata gjithmonë kanë investuar në unitet dhe në afrimin e qytetarëve pa dallime partie dhe ideologjie, duke synuar forcimin e lëvizjes kombëtare dhe luftës kundër Serbisë, por edhe forcimin e shtetit të Kosovës, demokracisë, rendit, ligjit dhe perspektivës euroatlantike.