Rrethojë burgu - Foto: REL/Shutterstock

Presidenti fali të dënuar për vrasje, mashtrim e rrezikim trafiku

Dy të dënuar për vrasje, një për vrasje në tentativë, dy për rrezikim të trafikut publik dhe një i dënuar për mashtrim përfituan nga falja e Presidentit të Kosovës.

Në një dekret të datës 15 shkurt të këtij viti Presidenti Hashim Thaçi u ka falur dënime gjashtë të dënuarve.

Njëri nga Agrush Kuqi sipas dekretit të publikuar vuan dënimin për vrasje në burgun e sigurisë së lartë në Dyz ndërsa pesë të tjerët vuajnë dënime në burgjet e tjera.

Dekreti saktëson se katër prej të dënuarve u janë falur tetë vite e gjysmë burg ndërsa dy të tjerëve pjesa e mbetur e dënimit pa e saktësuar se sa është ajo.

KALLXO.com ka marrë vesh veprat për të cilat ishin dënuar të falurit.

Presidenti i fali dy vite nga dënimi Agrush Kuqit që  ishte i dënuar me 9 vite burg për vrasje ndërsa dënimi i tij parashihej të përfundojë më 26 qershor 2024.

Islam Nexhat Jonuzi ishte i dënuar më një vit burgim për rrezikim të trafikut publik. Ai ishte e paraparë ta përfundojë dënimin në gusht të këtij viti, mirëpo me këtë dekret ai do të lirohet menjëherë meqë i është falur pjesa e mbetur e dënimit.

Përpos të dënuarit në Dyz është edhe Agdi Krasniqi del se është  i dënuar për vrasje të rëndë me 14 vite burg dhe parashihej ta përfundonte dënimin në vitin 2026. Atij i janë falur tre vite nga dënimi.

Liman Leci është dënuar me 20 muaj burg për një aksident trafiku ku ka humbur jetën një vajzë e mitur, atij i janë falur 6 muaj burg.

Petrit Xhafer Ahmetaj ishte i dënuar me 18 vite e 10 muaj burg për veprën Vrasje e rëndë në tentativë dhe parashihej të qëndronte në burgun e Dubravës deri në vitin 2028 por iu falën tre vite nga dënimi i tij.

I fundit në listën e të falurve nga Presidenti ishte Hysni Xhavit Fejza i dënuar për mashtrim ndërsa Presidenti i fali pjesën e mbetur të dënimit.

Dekreti është nxjerrë në procesin e faljes për nderë të kremtes së 17 shkurtit.

https://kallxo.com/hashim-thaci-fale-6-te-denuar-ne-mesin-e-tyre-te-denuar-per-vrasje/