Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com

Presidenti e Qeveria Flasin për Arrestimet e Sotme

Arrestimet e sotme të disa aktivistëve të Vetëvendoses rreth hedhjes së granatës ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë ngjallur reagime edhe nga Presidenti dhe qeveria e vendit.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Presidenti Hashim Thaçi, këtij sulmi i jep karakter të sulmit terrorist.

“Sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte një sulm terrorist dhe kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme”, thuhet në deklaratën e Presidentit.

Ai shtoi se “dhuna politike nuk do të ketë vend në shoqërinë dhe Kosovën tonë të re, të cilën me shumë sakrificë e kemi ndërtuar”, ndërsa u ka dhënë mbështetje organeve të rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës.

“Edhe qytetarët e Kosovës meritojnë vlerësim të lartë për pjekurinë e treguar, sepse ata vazhdimisht kanë kundërshtuar dhunën si formë të veprimit politik. Gjithashtu, ftoj të gjitha subjektet politike që të mos bëhen pjesë e retorikës së dhunës dhe t’i lënë interesat e ngushta politike, por të bashkohen për të mirën e përgjithshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi.

Edhe qeveria e Kosovës, përmes një deklarate u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike që të japin kontributin e tyre në avancimin e proceseve shtetndërtuese, duke u shmangur nga format e dhunshme dhe metodat jodemokratike.

“Qeveria e Kosovës shpreh përkrahje për organet e rendit dhe të ligjit në përmbushjen e obligimeve dhe përgjegjësive të tyre ligjore kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të krijimit të një ambienti të qetë për qytetarët e vendit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Sipas qeverië, Republika e Kosovës ndodhet para proceseve të rëndësishme të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në lëvizjen e lirë, në proceset tjera eurointegruese, në fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të, për transformimin e FSK-së dhe hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës, në të gjitha aspektet.