Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Presidenti: Dialogu me Serbinë Duhet të Hyjë në një Fazë Tjetër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternativë.

Në bashkëbisedimin e fundvitit me gazetarët, i pyetur rreth dialogut mes dy vendeve presidenti megjithatë tha se ky dialog duhet të ketë një kuptim të mirëfilltë e substancial.

“Unë e vlerësoj dialogun 5 vjeçar pasi që kemi integruar struktura të ndryshme në Policinë e Kosoves, kemi integruar drejtësinë. Ka ndryshuar realiteti”, theksoi presidenti.

Shefi i shtetit e vlerësoi faktin se qe disa vite nuk ka pasur asnjë incident ndëretnik.

“Mirëpo tash dialogu duhet te hyjë në një fazë tjetër, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia ose me përmbylljen e këtij procesi me të drejtën e Kosovës për anëtarësim në OKB”, theksoi ai.

Bashkëbisedimin e presidentit me gazetarë KALLXO.com e transmetoi LIVE.