Pranon Fajësinë për 76 Kilogramë Drogë

Teki Bokshi, avokati i të akuzuarit Ukë Gjini tregoi në Gjykatën e Gjakovës se i mbrojturi i tij do ta pranojë fajësinë.

“Unë së bashku në marrëveshje me të mbrojturin tim dhe kolegun tim avokatin Nikë Shala, jemi marrë vesh që të mos paraqesim kundërshtim dhe se i mbrojturi im ka për qëllim që të pranojë fajësinë, edhe për piken e I të dispozitivit të aktakuzës”, tha avokati Bokshi,

Gjykata pastaj miratoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Ukë Gjini.

Gjini bashkë me shtetasin kosovar Marcel Buzhala dhe tre shtetas të Republikës së Serbisë Radosllav Zhivanoviq, Dushko Millovanoviq e Jugosllav Vicentijeviq akuzohen në lidhje me posedimin e gati 76 kilogramëve të marijuanës.

Por Agim Muhaxhiri mbrojtësi i Marcel Buzhalës aktakuzën e konsideroi imagjinative.

“Aktakuza e ngarkon të mbrojturin tim pa asnjë provë materiale valide. Mendoj se është një perceptim iluzor, përkatësisht imagjinatë përderisa nuk argumentohet me provë materiale”, tha avokati Muhaxhiri.

Avokati Qemajl Juniku që mbron Radosllav Zhvanoviq tha se provat nuk dëshmojnë që i akuzuari është i përfshirë në kryerje të veprës penale që lidhet me narkotikët.

“Provat e propozuara janë tërësisht të pambështetme, meqë në asnjë mënyrë nuk argumentojnë se i mbrojturi im është i involuvuar ne ndonjë mënyrë në kryerjen e veprës penale për të cilën është iniciuar procedura penale,” deklaroi avokati Juniku.

Miodrag Brklaq, avokati i Dushko Millovanoviqit që kundërshtimt e aktakuzës i paraqiti me shkrim, u ankua se nuk i ka marrë të gjitha provat nga prokurori.

“Unë konsideroj z kryetar se nuk jam i obliguar ta ndjek prokurorin që t’i marr provat, ngase prokurori është i obliguar me ligj që mbrojtësit t’i dorëzojë provat”, tha Brklaq.

Rexhep Gjikolli, avokati i Jugosllav Vicentijeviqit, kontestoi gjykatën nga e cila u lëshua autorizimi për filim të hetimeve.

“Konsideroj se provat, respektivisht e vetmja provë e propozuar dëgjimi, përkatësisht përgjimi është caktuar nga gjykata jokompetente”, tha avokati Gjikolli.

Gjykata refuzoi pastaj kundërshtimet e aktakuzës nga avokatët

Sipas aktakuzës, Ukë Gjini dhe Marcel Buzhala me veturën e tipit “Pik-up” me ngjyrë të kaltër nga shtëpia e Ukë Gjinit i kanë transportuar rreth 32 kilogramë marijuanë deri te restoranti “Ujvara” që gjendet në drejtim të Klinës,

Prokuroria pretendon se narkotikët kanë qenë të destinuar për të akuzuarit Radosllav Zhivanoviq, Dushko Millovanoviq e Jugosllav Vicentijeviq  që me një veturë të tipit “Citroen” me targa të Beogradit kishin për qëllim ta transportonin drogën drejt Gjermanisë.

Për këtë transport drejt shtetit gjerman, në aktakuzë thuhet se Ukë Gjini pagoi 4 mijë euro.

Aktakuza sqaron se pas bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Ukë Gjini është gjetur një sasi tjetër e substancës narkotike.

“Gjatë bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Ukë Gjini në fshatin Pjetërshan është gjetur në tavanin e shtëpisë së tij narkotiku i llojit marihuanë me peshë prej 43 kilogramës e 89.95gramësh ku pesha e përgjithshme e narkotikeve është 75 kilogramë e 89.95 gramë”, thuhet në aktakuzë.

KALLXO.com ka shkruar për arrestimin dhe caktimin e paraburgimit të të akuzuarve.

http://kallxo.com/kapen-80-kg-droge-arrestohen-5-te-dyshuar/

http://kallxo.com/paraburgim-pese-te-dyshuarve-per-80-kilograme-droge/