Gjykimi për tentim kontrabandimi me migrantë - Foto: KALLXO.com

Pranojnë fajin dy të akuzuarit për tentim të kontrabandimit me migrantë

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi fillestar kundër të akuzuarit Jahir Gashi nga Sferka e Klinës.

I akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzohet.

Prokuroria Themelore në Gjakovë po e ngarkon të akuzuarin me veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Avokati i të akuzuarit, Regjep Gjikolli, në fjalën e tij tha se i mbrojturi i tij e pranon me vullnet të lirë fajësinë dhe Gjykata duhet ta pranojë si të tillë.

Ndërsa, i dëmtuari Sefedin Bytyqi tha se kërkon që t’i kthehen të hollat e tij dhe se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Kurse, prokurori Ali Uka tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari Jahir Gasih, sepse të njëjtën e bëri me vullnet të plotë, andaj i propozoi Gjykatës që ta pranonte si të tillë.

Me këtë rast, gjyqtari i çështjes, Gëzim Pozhegu, e aprovoi këtë pranim nga i akuzuari Jahir Gashi.

Lidhur me këtë rast Prokuroria ka ndarë gjykimet e dy të akuzuarve Jahir Gashi dhe Enver Krasniqi.

Gjykatësi njoftoi se edhe i pandehuri Krasniqi e ka pranuar fajësinë dhe se i njëjti është dënuar për të njëjtën vepër me 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do te ekzekutohet nëse brenda 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës, i akuzuari Gashi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm në muajin nëntor të vitit të kaluar përmes të pandehurit Enver Krasniqi ia merr të dëmtuarit Sefedin Bytyqi një komplet me ari ne vlerë prej 700 eurove si dhe shumën e parave prej 2.700 euro.

Këto të holla në vlerë prej 2.700 eurove ia jep Jahir Gashit, me qëllim për ta dërguar në Austri familjen e Sefedin Bytyqit, thuhet në aktakuzë.

Pastaj aktakuza shpjegon se Enver Krasniqi dhe Jahir Gashi me një veturë ngjyrë hiri e dërgojnë familjen e të dëmtuarit në Bujanovc, duke i vendosur në një hotel, në të cilin qëndruan për 4 ditë.

Ndër të tjera, në aktakuzë thuhet se më pas i pandehuri Enver telefonon të dëmtuarin Sefedin dhe i thotë që familja e tij duhet të kthehet në Kosovë për arsye se nuk mund t’i dërgojë në Austri.

Pas kthimit në Kosovë, i dëmtuari i kërkon Enverit kthimin e të hollave të tij, mirëpo i njëjti i kërcënon me fjalët “mos shkoni në polici se kam me ju vra”, ceket në aktakuzën e Prokurorisë.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari Jahir Gashi, ka kryer veprën penale të kontrabandimit me migrant, nga neni 170, par.1 i KPRK-së.

Pasi që i akuzuari e pranoi fajësinë, atëherë gjyqtari i çështjes shpalli aktgjykimin.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Jahir Gashi u shpall fajtor dhe u dënua me gjobë 500 euro dhe dënim me kusht prej 1 viti, i cili nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër brenda 3 viteve.

Ndërsa i dëmtuari u udhëzua në kontest civil.

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’