Pranohen 20 Punëtorë më Shumë në Konkursin e ATK-së

Në një konkurs të Administratës Tatimore të Kosovës janë pranuar 50 punëtorë, ndërsa konkursi është hapur për 30 vende pune

Një konkurs i shpallur nga Administrata Tatimore e Kosovës  për zyrtarë mbështetës për implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve ishte paraparë të pranojë për pilot-projekt  30 punëtorë, ndërsa lista zyrtare e të pranuarve numëron 50 kandidatë.

KALLXO.com  ka kontaktuar  Administratën Tatimore të Kosovës përmes postës elektronike për të pyetur përse janë pranuar 20 zyrtarë më shumë sesa është planifikuar.

ATK-ja ka thënë se e ka bërë këtë rritje të numrit të punëtorëve në mungesë të stafit për rimbursimin e kuponave fiskalë për të cilët më herët ishin përgjegjës punëtorët me kontratë të rregullt.

“Numri i të punësuarve është tejkaluar bazuar në kërkesën e vazhdueshme të Divizionit për Arka Fiskale për staf shtesë si rezultat i shtimit të plikove të qytetarëve për rimbursimin e kuponave fiskalë. Një numër i madh i zyrtareve sipas nevojës së këtij divizioni kanë qenë të detyruar të ndërpresin aktivitetet e tyre të rregullta të punës dhe të mbështesin Divizionin e Arkave Fiskale për verifikim të plikove për rimbursim. Kjo ka qene arsyeja për shtimin e 20 zyrtarëve në këtë proces, që i bie nga 2 zyrtarë për verifikim në çdo regjion,” thuhet në emailin zyrtar të ATK-së.

Ministria e Financave dhe ATK-ja ua ka mundësuar qytetarëve të Kosovës që të dorëzojnë kuponët fiskalë nga blerjet që bëjnë dhe për ta të marrin paratë e tatimit që kanë paguar për atë blerje.

Për dorëzimin e mbi 30 kuponëve fiskalë në vlerë prej 250 deri në 500 euro, qytetarët marrin dhjetë euro, për më shumë se 40 kuponë në vlerën nga 501 deri në 800 euro, qytetarët marrin 15 euro, ndërsa për dorëzimin e më shumë se 50 kuponëve fiskalë në vlerën mbi 800 euro, qytetarët marrin 20 euro.

Megjithatë, konkursi i shpallur në nëntor të vitit 2015  nuk kishte qenë i dedikuar për zyrtarë për rimbursim të kuponave fiskalë i cili po zgjat tash e gjashtë muaj, dhe nuk dihet kohëzgjatja e këtij procesi.

ATK-së, pikërisht pasi u miratua Ligji për Faljen e Borxheve iu kujtua se ka mungesë të stafit për verifikim të plikove dhe shfrytëzoi konkursin për zyrtarë mbështetës për implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve për plotësim të stafit për për rimbursim të kuponave fiskalë.

Këta 20 punëtorë shtesë do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës hiq më pak se 49 mijë euro, ku paga bruto e një punëtori është 407 euro bruto.

Për vijën buxhetore prej të cilës do të paguhen këta 20 punëtorë plus, ATK-ja nuk ka dhënë përgjigje, por ka thënë se Ministria e Financave e ka miratuar këtë proces.

“Me këtë kërkesë për shtimin e zyrtarëve nga 30 plus 20 është informuar Ministria e Financave e cila ka miratuar kërkesën e ATK-së për mbështetje financiare duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që ka procesi i rimbursimit të kuponëve fiskalë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe transparencën ndaj tyre,” është përgjigjur ATK-ja.

Ky konkurs i Administratës Tatimore të Kosovës  është përcjellë me probleme nëpër faza të ndryshme të tij.

Edhe para se të pranojë punëtorët e rinj , njëra nga kandidatet për këtë pozitë ka raportuar në KALLXO.com se i është bërë padrejtësi nga ana e ATK-së sepse nuk është thirrur për t’iu nënshtruar fazës së testimit.

http://kallxo.com/kandidatja-e-konkursit-te-atk-se-ankohet-per-padrejtesi/

Në konkurs nuk është specifikuar se kriter për pranim është përvoja e punës me tatime, ndërsa mungesa e përvojës së punës sipas ATK-së ka qenë arsyeja pse kandidatja nuk është thirrur në testim. [interaction id=”56bf0858e55f8d3b22cd7741″]