Kuvendi i Kosovës

Pozitë e Opozitë Votojnë Pro 71 Milionë Eurove nga Europa

Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Me 98 vota për dhe asnjë kundër kuvendi miratoi këtë ligj.

Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, tha se marrëveshja e nënshkruar në prill të këtij viti përfshin fusha prioritare të qeverisë, ku sipas saj fondi është 45.5 milionë euro nga BE, ndërsa fondi total është 71.15 milion euro, ku përfshihet edhe kredia nga BERZH-i.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu- Kodra, tha se asistenca financiare nga BE do të bëhet kryesisht përmes projekteve që ndihmojnë institucionet e Republikës së Kosovës për realizimin e objektivave të dala nga MSA.

“Përmes kësaj marrëveshje Kosova dhe Bashkimi Europian obligohen të japin kontributet e përbashkëta financiare”, tha Deliu-Kodra.

Sipas saj, janë disa fusha prioritare ku do të fokusohen këto fonde përmes projekteve për demokraci dhe qeverisja të mirë, sundimi të ligjit, inovacion, arsim dhe punësim.

Para votimit të kësaj marrëveshje, përfaqësuesit e grupeve parlamentare u deklaruan se do të votojnë këtë marrëveshje, por patën porosi për Kryeministrin Ramush Haradinaj që nuk ishte prezent.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu tha se Komuna e Prishtinës duhet të përfitojë nga kjo marrëveshje.

“Është për keqardhje qysh kryeministri zellin që e pati dje, sot për këtë marrëveshje kaq të rëndësishme nuk është prezent. Kjo marrëveshje mund të ndihmojë jo veç në temat që janë paraqitur, por edhe komunat e duhet të potencojë që komunat duhet të jenë hisedarët me të mëdha të këtyre fondeve. Qeveria duhet t’i japë paret Komunës së Prishtinës, që më këto fonde të rinovojë Pallatin e Rinisë”, tha Sejdiu.

Por, këtu reagoi shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili tha se nuk është mirë të keqpërdoret fjala publike dhe se Kryeministri nuk ka kohë për secilin projektligj të jetë  në sallë.

Ndërsa kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti tha se për këtë seancë, Kuvendi ka njoftimin se Kryeministri është në takim zyrtar me një delegacion të BE-së, por se “kërkesa për të qenë prezent në sallë kryeministri dhe ministrat mbetet permanente”.

Në fjalën e tij, Avdullah Hoti nga LDK-ja tha se ia rikujton Kuvendit që kjo marrëveshje është negociuar nga qeveria Mustafa dhe se këto fonde do të ndahen në përputhje me prioritetet e qeverisë.

“Marrëveshje e rëndësisë në nacionale. Ne do të votojmë për ratifikim e kësaj marrëveshjeje se jemi I vetmi partner kredibil i BE-së në Kosovë”, tha Hoti.

Para ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, deputetët votuan edhe për amendamentin e propozuar nga deputetja Albulena Haxhiu, i cili thotë: “Marrëveshja konsiderohet e ratifikuar me 2/3 e votave të deputetëve dhe hyn në fuqi me afatet ligjore të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, dhe jo si ishte më parë me “2/3 e votave të deputetëve prezentë në sallë”.

Ky amendament mori 99 vota për dhe kryesuesi Haliti tha se “ndoshta ky është amendamenti më i votuar në historinë e parlamentit”.