Foto: Facebook

Portali i Rrahim Pacollit Shkel Ligjin e Punës

Arton Çerkini, inspektor i Punës deklaroi se pas inspektimit në portalin “arbresh.info” janë gjetur shkelje të Ligjit të Punës.

“Ju informojmë se subjekti juridik i lartcekur është inspektuar dhe me Raport Zyrtar Nr.10-26/2017, është konstatuar gjendja faktike ku nga lëmia e marrëdhënies së punës janë konstatuar shkeljet ligjore të Ligjit Nr.03/-L-212 të Punës”, tha Çerkini për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte pranuar një raportim për pretendime të shkeljeve të të drejtave të punëtorëvë në këtë portal, të cilin e kishte dërguar pastaj në Inspektoratin e Punës.

Inspektori Çerkini tregoi se këtij portali i është bërë vërejtje për t’i eleminuar parregullsitë.

“Sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 5.5 (b) të Ligjit Nr.2002/9 dhe Nr.03/L-017 për inspektoratin e Punës, punëdhënësit në fjalë i janë bërë vërejtje dhe është obliguar t’i eliminojë parregullsitë e konstatuara. Me datën 14.03.2017 është bërë riinspektimi dhe është konstatuar gjendja faktike e cila është në procedurë”, tha Çerkini.

Pronari i portalit “arbresh.info” është Rrahim Pacolli. Ai ka në pronësi edhe biznese të tjera. E biznesi më i njohur që e ka në pronësi dhe që e menaxhon është kompania e sigurimeve “Siguria”. Pacolli është në Këshillin e Byrosë së Sigurimeve. Ai është i afërt me kryetarin e partisë Alanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Rrahim Pacolli ka qenë i angazhuar në AKR.

Por Rrahim Pacolli, pronari i portalit “arbresh,info” tha se nuk është i informuar se këtij mediumi i është shqiptuar vërejtje.

“Unë nuk jam i informuar që kam vërejtje. Ju shkoni këqyrni të drejtat e punëtorëve të mi, punojnë tetë orë dhe i kanë të gjitha kushtet që i kanë në kontratë të parapara”, tha Pacolli.

Ai mohoi se ka shkelje në portalin që e ka në pronësi.

“Te unë nuk ka shkelje, Inspektoriati le ta vazhdojë punën e vet, nëse ka shkelje le të më dënojë”, tha Pacolli.

Në korrik të vitit 2016 Inspektorati i Punës pasi inspektoi 34 mediume, gjobiti tri prej tyre për mosrespektim të Ligjit të Punës.

Atëherë ky Inspektorat konstatoi se 43 punonjës medialë kanë qenë të palegalizuar, 21 pa kontrata pune dhe 153 me kontrata specifike të parregullta.

http://kallxo.com/gjobiten-tri-media/