Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo - Foto: REL/AFP

Pompeo: Kina paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të ShBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Kina paraqet një rrezik të vërtetë për sigurinë kombëtare të ShBA-së.

Ai shfaqi besimin se më shumë kompani amerikane do të shkëpusin raportet me kompaninë kineze të teknologjisë Huawei.

Pompeo tha në një intervistë për CNBC se i beson një raportimi të New York Times se Kina po përdor teknologjinë e nivelit të lartë për të nënshtruar dhe kontrolluar pakicën etnike të myslimanëve ujgur.

Ditë me parë kompania amerikane Google njoftoi se do të ndërpresë mundësinë e përditësimit të aplikacioneve në sistemin operativ Android të cilin e përdorin telefonat e mençur të kompanisë kineze Huawei.

Ky veprim vjen pasi administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shtoi Huawei në një listë të kompanive me të cilat kompanitë amerikane nuk mund të bëjnë tregti nëse ato nuk posedojnë licencë.

Huawei ka qenë epiqendra e konfliktit në mes të SHBA-së dhe Kinës, që ka dominuar politikën globale gjithë vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara deri më tani u kanë ndaluar një varg agjencive federale përdorimin e produkteve të Huaweit.

Huawei përballet me një reagim në rritje nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga SHBA-ja, mbi rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e ardhshme mobile të 5G.

Disa vende kanë ngritur shqetësime se pajisjet Huawei mund të përdoren nga Kina për mbledhje të informacioneve dhe mbikëqyrje, akuza të cilat kompania kineze i ka mohuar./REL