Një nga artikujt për Srebrenicën që dënoi politikanin Donatello Poggi.

Politikani Zviceran Dënohet për Mohim të Gjenocidit në Srebrenicë

Politikani zviceran Donatello Poggi humbi një çështje apeli javën e kaluar kundër dënimit të tij për diskriminim racor dhe iu dha një dënim me dy vjet burg, njoftojnë mediat boshnjake.

Gjykata arriti në përfundimin më 13 qershor se Poggi botoi dy opinione në faqet e internetit të Corriere del Ticino dhe TicinoLibero në të cilat ai refuzoi të pranonte se masakrat ndaj boshnjakëve nga Srebrenica të kryera nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995 përbënin gjenocid.

Poggi shkroi në artikujt, të botuar në vitin 2012, se pretendimet për gjenocid ishin “gënjeshtra propagandistike” dhe se serbët jo boshnjakët ishin viktimat më të mëdha të luftës në Bosnje, sipas raporteve të medias.

Gjyqtarët arritën në përfundimin se artikujt ishin të njëanshëm dhe diskriminues dhe nuk ofronin argumente ose prova dhe se kjo përbënte një akt diskriminimi racor.

Poggi u dënua fillimisht në gjyqin e tij të shkallës së parë në maj 2016 dhe gjyqtarët e apelit e lanë në fuqi atë vendim.

Ai u dënua me dy vjet burg të pezulluar dhe u urdhërua të paguante një gjobë.

Vendimi vjen pasi politikanët boshnjakë kanë ngecur në një debat mbi një ligj të propozuar për ta kriminalizuar mohimin e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Propozimi kundërshtohet fuqishëm nga serbët e Bosnjës të cilët shprehen se masakrat nuk përbënin gjenocid, pavarësisht vendimeve të dhëna nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

Në vitin 2004, në çështjen kundër ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Radislav Krstiq, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë vendosi se vrasjet masive në vitin 1995 të boshnjakëve nga Srebrenica përbënin gjenocid.

Ky vendim u përqafua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 në çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi.