Gjykata në Prizren

Policit i Shtohet Vepra Penale Lëndim Trupor

Prokurori Beqë Shala ka zgjeruar aktakuzën ndaj policit Bafti Hoxha, duke ia ngarkuar atij edhe veprën penale lëndim i lehtë trupor.

I akuzuari Hoxha, sipas prokurorit Shala, të dëmtuarit Driton Muharremi ia përdredhë dorën, me ç ‘rast i shkakton lëndime të lehta trupore,-gërvishtje në regjionin e kyçit të nyjës së shuplakës së dorës së majtë, lëndime këto të përshkruara në mendimin e ekspertit mjeko-ligjor Dr.Musa Gashi.

Bafti Hoxha, por edhe kolegët e tij Ilir Zogaj, Fatmir Berisha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha akuzohen keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare dhe autorizimeve publike.

Prokuroria pretendon se keqtrajtimi iu bë Driton dhe Halit Muharremit në pikën kufitare të Vërmicës më 5 prill 2015.

Driton e Halit Muharremi atë ditë po ktheheshin nga Shqipëria në Kosovë me bashkudhëtaren Venera Muharremi, ndërsa makinën po e drejtonte Uron Muharremi.

“Kur kanë arritur në pikën kufitare duke ardhur nga Shqipëria në Kosovë, zyrtari policor Fatmir Berisha fillon të bërtasë me ton të lartë se automjeti ka hyrë në dritën e kuqe”, thuhet në aktakuzë.

Më tutje, sipas aktakuzës, Fatmir Berisha del nga kabina i merr dokumentet dhe shkon në drejtim të stacionit duke kërkuar asistencë nga zyrtaret policorë. Pas asistimit të tyre, të akuzuarit i shoqërojnë dhunshëm dy të dëmtuarit Halit dhe Driton Muharremit duke i tërhequr zvarrë për në stacion.

Seanca gjyqësore është shtyrë në afat të pacaktuar në mënyrë që i akuzuari Bafti Hoxha të deklarohet lidhur me akuzën për lëndim të lehtë trupor.

Para tri ditësh KALLXO.com publikoi pamje të një polici që kishte grushtuar një qytetar të arrestuar në periferi të Prishtinës.

http://kallxo.com/polici-grushton-qytetarin-e-arrestuar/

të njëjtën ditë ky polic u suspendua për 48 orë.

http://kallxo.com/suspendohet-polici-qe-grushtoi-te-arrestuarin/

Një ditë më pas i rrahuri nga policia tregoi për KALLXO.com se si ndodhi ngjarja.

http://kallxo.com/flet-personi-cili-u-rrah-nga-policia/