Policia: Vetëm një Rast i Pengimit të Procesit të Votimit

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, forcat e rendit në ditën e sotme kur u votua në 19 komuna për kryetarë të tyre e 1 në një komunë për kryetar dhe asamble, kanë evidentuar vetëm një rast të pengimit të procesit të votimit.

“Në Policinë e Kosovës në të gjitha rajonet ku është zhvilluar procesi i balotazhit dhe në komunën ku është ri-votuar, është evidentuar vetëm një (1) rast penal i pengimit të procesit të votimit”, thuhet në komunikatëbn e policisë.

Policia njofton se në lidhje me këtë rast ndaj një personi është iniciuar pengimi i procesit të votimit, ndërsa pas marrjes në pyetje ai person është liruar.

Policia bën me dije se ka marrë në pyetje edhe gjashtë persona tjerë gjatë ditës së balotazhit, por nuk ka dalë që ata kanë kryer vepra penale.

“Si rezultat i punës dhe veprimeve të zyrtarëve policorë lidhur me këto raste/incidente janë intervistuar shtatë (7) persona. Pas konsultimit me prokurorët kompetentë gjashtë prej tyre janë liruar pasi që nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale”, vijon komunikata.

Policia vlerëson se procesi zgjedhor “ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, por me disa incidente të vogla të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.

KALLXO.com shkroi sot për veprimet policore.

http://kallxo.com/mitrovice-tre-te-arrestuar-per-zgjedhjet/

http://kallxo.com/arrestohet-votuesi-fletevotim-xhep/