POLICIA - TRAFIK - KALLXO

Policia ua ndalon 1.321 personave vozitjen e mjeteve motorike

Në kuadër të aktiviteteve për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës gjatë periudhës kohore nga data 01.01.2019 deri më 10.03.2019 ka shqiptuar gjithsej 1.321 fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj shoferëve, të cilëve përveç gjobës në të holla, të njëjtëve u është shqiptuar edhe masa mbrojtëse “ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik”.

Përmes një njoftimi, Policia thotë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

Ditë më parë, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacion, Policia e Kosovës ka nisur operacionin “Semafori”, qëllimi i të cilit është ndëshkimi i shoferëve që nuk e respektojnë dritën e kuqe të semaforit.

Përmes këtij plani, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, duke patrulluar me një njësi të policëve civilë, dhe një tjerët me uniformë, arrijnë të identifikojnë kundërvajtësit të cilët nuk respektojnë dritën e kuqe të semaforit.

Policët civilë të cilët vendosen në afërsi të semaforëve, fotografojnë të gjitha automjetet të cilat nuk respektojnë dritën e kuqe të semaforit, dhe e njëjta veturë ndalohet nga njësiti tjetër i policëve të cilët vendosen në një pikë tjetër.

https://kallxo.com/kujdes-policia-e-kosoves-ju-fotografon-ne-semafor/

www.kallxo.com