Policia shfajësohet për vrasjen në Brekovc

Në një konferencë për media policia ka arsyetuar veprimet e saja në trajtimin e rastit të kërcënimit të Valbonë Nrecajt. Nënkoloneli Ahmet Hasi drejtor i policisë në Gjakovë ka thënë se kanë trajtuar siç duhet rastin e gruas e cila u vra nga burri pesë orë pasi denoncoj kërcënimin në polici

“Ankuesja ka ardhur në stacionin e policisë në Gjakovë së bashku me dy vëllezërit e saj dhe ka treguar se pranuar mesazhe kërcënuese nga i dyshuari. Policia ka filluar për kërkimin e të dyshuarit. Në pamundësi të gjetjes së tij jemi munduar që të kontaktojmë edhe përmes telefonit por kjo ka qenë e pamundur” ka thënë Hasi. Ai ka shtuar se viktima nuk ka kërkuar mbrojtje nga policia ndërsa ka sqaruar se policia është aktivizuar menjëherë pasi ka marrë telefonatën për të shtënat me armë zjarri.

“Policia ka vazhduar kërkimin e të dyshuarit deri në orën 21 kur kemi pranuar informacion se ka të shtëna me armë zjarri në fshatin Brekoc të Gjakovës” ka thënë Hasi.

Mbrojtës i viktimave, Agim Pula tha se viktima nuk kishte pranuar strehim, pasi që kishte paraqitur dhunë në familje.

“Kur e ndjera e ka paraqit rastin, i kem ofruar asaj ndihmë dhe strehim por ajo nuk ka pranuar pasi qe ka mu strehuar te familja. Vëllai i saj ka thëne se do të strehoj motrën me 5 fëmije” ka thënë Pula. Ai ka sqaruar se nuk kanë qenë të njoftuar për rastin e fundit të kërcënimit.