Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Policia serbe intervistoi Radoiçiqin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Mediat në Serbi po raportojnë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është duke u marrë në pyetje nga Policia e Serbisë rreth rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Agjencia e lajmeve nga Mitrovica e veriut, Kossev, citon televizionin serb O2 të ketë raportuar se Radoiçiq është duke u marrë në pyetje pas hetimeve për vrasjen e ish-liderit të serbëve të Kosovës, Ivanoviq, në janar të këtij viti.

Siç transmeton ky televizion, prokuroria serbe ka kërkuar intervistim të Radoiçiqit pas deklaratës së Prokurorisë Speciale të Kosovës rreth përfshirjes së tij të mundshme në këtë vrasje.

Duke u bazuar në raporte jozyrtare, televizioni raporton se Radoiçiq ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me këtë vrasje.

Ministria Serbe e Punëve të brendshme konfirmoi për BIRN se Radoiçiq është intervistuar.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë veproi në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Serbisë për Krim të Organizuar dhe e thirri për dëgjim M.R. rreth njohurive të tij për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha MPB e Serbisë në përgjigjen për BIRN.

Të premten e kaluar, Policia e Kosovës arrestoi katër persona në kuadër të hetimeve për vrasjen e Ivanoviqit ndërsa nuk arriti ta kapë Radoiçiqin i cili mbrëmë tha se nuk do t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës ndërsa mohoi përfshirjen e tij në vrasjen e Ivanoviqit.