Foto: Arkiv

Policia sekuestron barna pa banderola

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka sekuestruar sot në Pejë 353 medikamente me origjinë të dyshimtë.

Sipas njoftimit nga ana e policisë, gjatë ditës ë sotme, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë ka pranuar informacion se në disa lokacione është duke u bërë prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore.

Pas pranimit të informacioneve dhe analizimit të tyre, NJRHKEK në  Pejë në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, ka realizuar një plan operativ për kontrollimin e disa lokacioneve në të cilat dyshohej për medikamente pa banderola me origjinë të dyshimtë.

“Gjatë operacionit policor janë kontrolluar gjashtë lokacione, nga të cilat katër barnatore dhe dy shtëpi në qytetin e Pejës, me ç ‘rast janë gjetur 1 mijë e 724 paketime, ku përfshiheshin 353 lloje të medikamenteve të ndryshme pa banderola, të cilat me procesverbal janë sekuestruar nga ana e inspektorëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa zyrtarët e doganës këto medikamente i kanë pranuar në ruajtje dhe të njëjtat do të përdoren si dëshmi për procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin  e policisë.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore në Pejë si dhe është përpiluar shënim zyrtar për gjyqtarin e procedurë paraprake.