Foto: KALLXO.com

Policia nuk Gjen Asgjë në Veturën e Braktisur me Tabela të Beogradit

Në orët e pasditës, Policia e Kosovës ka konfiskuar një veturë të dyshimtë në qendër të kryeqytetit.

Sipas drejtorit të Policisë të Rajonit të Prishtinës, Rexhep Sijarina, vetura është gjetur rreth orës 16:00. Ai ka treguar se vetura ka qenë e ndezur dhe një dritare e kishte të hapur, por vozitësi nuk ka qenë në të.

Vetura taksi ishte me targa të kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, ka thënë për KALLXO.com pak kohë më herët zëdhënësja e Policisë, Florie Ahmeti-Haziraj.

Drejtori Sijarina tha po ashtu se sipas dëshmitarëve të rastit, personi e ka lënë veturën dhe ka ecur në drejtim të sheshit. “Pas hetimeve preliminare, Policia ka arritur ta identifikojë shoferin, i cili kishte shkuar në Graçanicë për një rit fetar”, tha ai.

Sijarina shtoi se vetura është kontrolluar dhe se nuk është gjetur asgjë. Por, theksoi se ajo do të kontrollohet prapë.

Drejtori Rexhep Sijarina theksoi se pasi të kryhen disa procedura, vetura do të largohet nga vendi ku është gjetur e braktisur, në afërsi të hotelit “Grand Hotel”.

Lidhur me rastin është ndaluar vëllai i shoferit, ndërsa ky i shoqëruar nga Policia po sillet në Prishtinë.

Ndërkohë, Policia po e mban të rrethuar me shirita zonën ku është gjetur vetura e braktisur.

Po ashtu, drejtori Sijarina tregoi se në çantën e dyshimtë, që është gjetur te shkolla fillore “Elena Gjika” nuk kishte asgjë.

http://kallxo.com/cante-e-dyshimte-ne-shkollen-elena-gjika/

Në dhjetor të vitit 2014 në Prishtinë ishte arrestuar shtetasi serb, Sllobodan Gavriq.

Gavriq ishte ndaluar në lagjen “Arbëria” dhe gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonte Policia gjeti mbi 12 kilogramë eksploziv të llojit PETN, të cilin ekspertët e vlerësojnë nga më të fuqishmit që ekziston aktualisht.

Sllobodan Gavriq ishte akuzuar për vepra terroriste dhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës qe dënuar me 13 vjet burgim.

Më 5 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e Kosovës ia uli për dy vjet dënimin shtetasit serb. Ai tash po vuan dënimin prej 11 vjet burg.

KALLXO.com ka përcjellë vazhdimisht procesin gjyqësor të Gavriqit dhe raportimet mund t’i gjeni në këtë link.