Policia: Nuk e dimë arsyen pse kamioni hyri në rrugën e ndaluar për automjete të rënda

Policia e Gjilanit ka ndërmarrë të gjitha masat që të dihet e vërteta rreth aksidentit të sotëm në qytet, ku një qytetar humbi jetën dhe 14 të tjerë u lënduan.

Kështu tha zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani.

Sipas zëdhënësit të Policisë nuk dihet arsyeja pse kamioni është futur në rrugën ku ekzistojnë shenjat që automjeteve të tilla të rënda u ndalohet hyrja.

“E vërteta është se ekzistojnë shenjat për ndalim të kamionëve me transporte të mëdha. Ne nuk e dimë arsyen pse është futur në këtë rrugë. Besoj që pas ekzaminimeve do të dalim me arsyen pse është futur në qendrën e Gjilanit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

Ndërsa, prokurorja Rozelinda Manastiri, tha se menjëherë pas aksidentit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ajo po ashtu tregoi se i kanë vizituar të lënduarit në Gjilan.

“Kemi 14 të lënduar dy prej të cilëve janë dërguar në QKUK. I dyshuari është intervistuar dhe është ndaluar”, tha prokurorja e shtetit, Rozelinda Manastiri.