Foto: Policia e Kosovës

Policia nis fushatën “Të gjithë jemi këmbësorë”

Divizioni i Komunikacionit Rrugor, në Policinë e Kosovës, ka nisur fushatën vetëdijësuese “TË GJITHË JEMI KËMBËSORË”.

Sipas njoftimit të policisë, kjo iniciativë është nisur në bashkëpunim me Departamentin Koordinues të Këshillit për Siguri Rrugore, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

“Në kuadër të këtij aktiviteti në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovës dhe Ministria, është bërë edhe shpërndarja e fletushkave që kanë për qëllim sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafik, sidomos këmbësorëve, të cilët janë kategoria më e rrezikuar në trafikun rrugor”, është thënë në njoftim.

Duke u bazuar në këtë iniciativë, Policia e Kosovës ka deklaruar se përdorimi i rrugës duhet të përdoret në mënyrë sociale, e që sipas tyre, kjo nënkupton se këmbësorët duhet të respektojnë vendkalimet për këmbësorë.

Ndërsa shoferët duhet të lëvizin sipas rregullave të trafikut, duke mos penguar pjesëmarrësit e tjerë.

“Çdo shkelje e rregullave të trafikut mund të kuptohet edhe si humbje e jetës.”, thuhet në njoftimin e Policisë.