Policia në Mitrovicë me aktivitet policor në shkolla

Drejtoria Rajonale e Policisë në rajonin e Mitrovicës ka njoftuar se me fillim vitin e ri shkollor, ka filluar edhe zbatimi i  planit operativ “Siguria në shkolla”.

Sipas njoftimit të policisë, zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut Rajonal janë duke mbajtur ligjërata me nxënës të shkollave fillore me temën “Njohuri elementare për sigurinë në trafikun rrugor”, ku kryesisht po përfshihen nxënës të ciklit të ulët.

“Përveç ligjëratave teorike në fushën e sigurisë në trafik, nxënësve po u shpërndahen edhe broshura me përmbajtje e ilustrime të rregullave primare e elementare për sigurinë në trafik” njofton policia.

Policia e rajonit të Mitrovicës ka njoftuar se këto ligjërata po zhvillohen në hapësirat shkollore, ku në fazën e parë do të përfshihen shkollat fillore të cilat kanë qasje në rrugë rajonale dhe magjistrale.

“Këto ligjërata kanë për synim të plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e rregullave primare të sigurisë në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia poashtu ka njoftuar se angazhimet policore për ofrimin e sigurisë si dhe lëminë e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera do të jenë të vazhdueshme përgjatë tërë vitit shkollor.