Kuvendi i Maqedonisë së Veriut | Foto: RTV 21

Policia maqedonase mbron deputetët pas votimit të marrëveshjes për ndryshimin e emrit

Policia maqedonase është duke u dhënë mbrojtje deputetëve që kanë marrë kërcënime pas votimit për zbatimin e marrëveshjes historike me Greqinë “për emrin”, tha ministri i Brendshëm.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha të hënën se të gjithë 80 deputetët, votimi i të cilëve ishte çelësi për nisjen e ndryshimeve kushtetuese për të siguruar marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë, po marrin mbrojtje 24 orëshe policore.

Spasovski tha se deputetët që votuan “po” për marrëveshjen kanë nevojë për mbrojtje pasi ata po marrin mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale që i akuzojnë ata për tradhti dhe për marrje të ryshfetit.

“Ne nuk do të lejojmë një sjellje të tillë dhe kushdo që ngjall frikë midis qytetarëve apo ligjvënësve do të sanksionohet”, tha Spasovski në një konferencë shtypi.

Ata që votuan në favor përfshijnë tetë deputetë nga blloku i opozitës, të cilët mbështetën ndryshimet pavarësisht nga direktivat e partisë kryesore të opozitës VMRO DPMNE.

Më parë gjatë ditës, Ministria e Brendshme tha se do të ngrejë padi kundër një 38-vjeçari nga zona e Shkupit i cili ka bërë kërcënime kundër deputetëve në Facebook. I dyshuari tashmë është ftuar për t’u marrë në pyetje, shtoi Ministria.

Spasovski tha se policia ka identifikuar një “grup” të afërt me lëvizjen joformale që bëri fushatë për bojkot të referendumit të 30 shtatorit, të cilin ai tha se ka kërcënuar jetën e deputetëve dhe familjeve të tyre. Ai tha se Policia po monitoron nga afër aktivitetet e grupit.

Në mbrëmjen e vonshme të së premtes, pas një dite të tensioneve të larta dhe pasigurisë, qeveria e kryeministrit Zoran Zaev kaloi një test kyç kur 80 ligjvënës votuan në favor dhe 39 kundër mocionit të saj për të filluar procedurën për të ndryshuar kushtetutën për të lejuar që emri i vendit të bëhet Republika e Maqedonisë Veriore – siç kërkohet me marrëveshjen e arritur me Greqinë këtë verë.

Menjëherë pas votimit, tetë deputetë nga blloku i opozitës, të cilët votuan në favor, ishin cak i gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve në rrjetet sociale dhe në disa media pro-opozitare.

Të premten mbrëma, faqja e lajmeve pro-opozitare ‘Republika’ botoi një artikull me titullin “Mbani mend këto fytyra, këta janë tradhtarët maqedonas” me fotot dhe emrat e deputetëve të opozitës, me pretekst se kjo po përcjell vetëm reagimet e njerëzve në rrjetet sociale.

Të njëjtën natë, VMRO DPMNE largoi nga partia shtatë nga deputetët e saj që votuan në favor të marrëveshjes për ‘emrin’, duke shprehur dyshime se ata ishin korruptuar ose kanë pasur presion, gjë që qeveria e ka mohuar.

Deputeti i tetë i opozitës që votoi në favor të marrëveshjes ishte nga aleati më i vogël i VMRO DPMNE, Partia Socialiste.