Armë e konfiskuar nga Policia në Lipjan. Foto: PK

Policia Konfiskon Armë e Narkotikë në Lipjan, Podujevë e Prishtinë

Në tri raste të ndryshme, njësitet e Policisë së Kosovës gjatë të enjtes kanë konfiskuar tri armë zjarri dhe sasi narkotikësh.

Në rastin e parë që është realizuar në fshatin Baicë të Lipjanit, është bërë  bastisja  e një shtëpie dhe lokaleve përcjellëse.

Në këtë lokacion zyrtarët policorë kanë gjet dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, pjesë të ndryshme të armëve të gjitha jofunksionale, dy bimë të thata (kanabis) me gjatësi 70-120 cm., sasi të substancave të dyshuara narkotike (marihuanë) 38.4 gram, 10 (dhjetë) cigare të mbështjella (substanca të dyshuara narkotike marihuanë) në sasi 10.7 gram.

Në rastin e dytë që është raportuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është raportuar si gjuajtje me armë në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë. Këtij rasti i janë përgjigjur zyrtarët policorë, të cilët nga personi i dyshuar kanë sekuestruar një revole të tipit TT si dhe një karikator pa fishekë.

Ndërsa në rastin e tretë nga njësitet e stacionit policor Veriu në Prishtinë është konfiskuar një pushkë automatike AK- 47 si dhe një karikator me 29 fishekë.

“Arma dhe municioni janë gjetur në bagazhin e një  automjeti të tipit Mercedes i cili nga policia u ndalua në fshatin Llukarë (në një pikë kontrolli) për një kontroll rutinë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

“Për të tria rastet policia ka shoqëruar në stacion policor tre persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

Policia thotë se që nga një janari i vitit 2017 deri sot nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 250 armë, mbi 3,000 municione të llojit dhe kalibrit të ndryshëm, dhe janë iniciuar 269 raste të mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.