Pika Kufitare në Merdar| Foto: KALLXO.com

Policia: Kolona në Merdar, Shfrytëzoni Edhe Pikat e Tjera Kufitare

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga Serbia ose që shkojnë drejt Serbisë përmes pikës kufitare në Merdar ta shmangin këtë pikë për shkak të kolonave dhe të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.

Në njoftimin e saj, Policia thotë se për shkak të festave të fundvitit në këtë pikë kufitare ka frekuentim dhe fluks më të madh të automjeteve. Po ashtu, aty po zhvillohen punime infrastrukturore dhe për këtë arsye, kohë pas kohe, po krijohen kolona dhe pritje të gjata me kohëzgjatje prej disa orëve.

“Andaj, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, informojmë të gjithë qytetarët/bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera të kalimit kufitar”, thekson Policia.

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e saja karshi qytetarëve dhe për këtë ka angazhuar personel të mjaftueshëm në pikat kufitare, me qëllim të qarkullimit më të shpejtë, duke aplikuar edhe metodat e lehtësimit dhe përshpejtimit të kalimit kufitar për të shmangur pritjet e gjata, duke pasur parasysh përqendrimin e njerëzve dhe automjeteve në këtë pikë kufitare.