Fitim Thaqi, i dyshuari për sulm ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi | Foto: Policia e Kosovës

Policia Kërkon Ndihmë për Kapjen e të Dyshuarit për Sulm ndaj Vehbi Kajtazit

Policia e Kosovës me anë të një njoftimi, teksa ka identifikuar Fitim Thaqin si sulmues të dyshuar të Vehbi Kajtazit, kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për informata rreth vendndodhjes së tij.

“Ne po kërkojmë përkrahjen e qytetarëve për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit,  andaj të gjithë ata që kanë informacion lidhur me të dyshuarin dhe vendndodhjen e tij i lusim që informacionet e tilla t’ia kalojnë policisë ashtu që të mundësohet kapja e tij”, thuhet në njoftimin policor.

Policia në njoftim bën të ditur se i ka dërguar ftesë të dyshuarit për paraqitje në ambientet policore.

“Përkundër ftesave që policia i ka dërguar, i njëjti nuk është paraqitur në polici në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor”, thuhet në informacionin e policisë.

Policia ka publikuar edhe foto të të dyshuarit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që për informata rreth vendndodhjes së mundshme të Thaqit të kontaktojnë në numrin 192.

Sot në Prishtinë gazetarët dhe punonjësit medialë protestuan pas sulmit ndaj Kajtazit, ndërsa KALLXO.com shkroi edhe për këtë sulm.

http://kallxo.com/lufta-nuk-ka-perfunduar-per-gazetaret/

http://kallxo.com/sulmohet-gazetari-vehbi-kajtazi/