Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia kërkon largimin e pamjeve të sulmit terrorist në Zelandën e Re

Policia e Kosovës ka pranuar shkresë përmes kanaleve zyrtare nga Zelanda e Re, e cila i referohet tragjedisë së ndodhur në Christchurch, i cila u vlerësua si  sulm terrorist.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovë, Zelanda e Re është duke bashkëpunuar me partnerë vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe Policinë e Kosovës, që t’i largoj pamjet online në lidhje me sulmin.

“Të njëjtit kanë konsideruar se pamjet e këtij sulmi janë të kundërligjshme dhe të pa këndshme sipas ligjit të Zelandës së Re, andaj përmes partneritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët kërkojnë edhe ndihmën tonë në largimin e kësaj pamje online të këtij sulmi dhe shpërndarjen e mesazhit të tyre”, njofton policia.

Tutje në njoftim thuhet se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, me qëllim të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër akteve terroriste ka adresuar këtë informacion të pranuar nga Zelanda e Re për largimin e pamjeve online të sulmit dhe njëkohësisht largimin e pamjeve me përmbajtje të kësaj natyre, duke kërkuar që ato të raportohen në polici.

“Pamjet mund t’i raportoni drejtpërdrejt në platformën ku hasen pamjet, gjithashtu, për çfarëdo lloj informacioni, ankese apo problemi lidhur me këtë mund ta adresoni në Policinë e Kosovës në emailin zyrtar [email protected] apo edhe direkt përmes faqes së censuruar të internetit https://www.dia.govt.nz/web/submitforms.nsf/cencomp “, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.