Policia jep detaje të reja rreth vrasjes së trefishtë në Prishtinë

15:57

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja rreth rastit tragjik që ndodhi sot në një banesë në sheshin “Bill Clinton” të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha nga vendi i ngjarjes se rreth orës 13:20 kanë pranuar një informacion për një vrasje të dyshimtë këtu në lagjen Dardania.

“Pastaj e kemi vertetuar se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë dhe një vetëvrasje. Policia ka njoftuar të gjitha agjencitë kompetente për të dalë në vendin e ngjarjes, përfshirë Mjeksinë ligjore dhe Forenzikën”, theksoi Kelani në një konferencë për media.

Viktimat, sipas zëdhënësit të Policisë, janë një burrë i lindur më 1958h, një grua e lindur më 1959 dhe një vajzë e lindur më 1991.

15:40

Trupat e tre të vrarëve në incidentin që ka ndodhur sot rreth orës 13:20 në një banësë në lagjen Dardania në Prishtinë vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku ka ndodhur rasti tragjik.

Njësitë relevante të Policisë dhe Prokurorisë vazhdojnë të ekzaminojnë vendin e ngjarjes.

Tre persona janë vrarë në një incident që ka ndodhur rreth orës 13:20.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se një burrë ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij, gruan e djalit të tij e më pas edhe veten.

15:20

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, lidhur me vrasjen e sotme në Prishtinë tha se dyshohet se burri ka vrarë gruan, rejën e më pas edhe veten.

Ndërkohë, për motivet kryeprokurori i Prishtinës tha se ende nuk dihen.

15:10

Forca të mëdha të Policisë vazhdojnë të qëndrojnë në hyrje të ndërtesës ku ka ndodhur vrasja e trefishtë sot rreth orës 13:20 në lagjen Dardania, në Prishtinë.

Policia e ka bllokuar hyrjen e ndërtesës ku ka ndodhur vrasje dhe ekipet kompetente po merren me rastin.

Këto janë disa foto nga vendi i ngjarjes, në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Sot rreth orës 13:20 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë ka ndodhur një vrasje e trefishtë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrare tre persona.  Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor  në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Ndërsa, në një prononcim për KALLXO.com, kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se dyshohet për një vrasje në familje.

“Një vrasje në familje, të paktën për dy persona po mendojmë që janë vrarë, por nuk po e dimë ende sigurt se sa persona. Prokurori është në vend të ngjarjes dhe po presim edhe informatat e tjera”, tha Beka për KALLXO.com.