Policia jep detaje për zjarrin në Prishtinë, arrestohet një person

Sot rreth orës 15:30, policia është njoftua për një zjarr në një banesë në Prishtinë.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku ka dalur tym nga dy objekte.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore, zjarrfikësit si dhe ekipet mjekësore. Pas evakuimit të banorëve, policia bashkërisht edhe me faktorët e tjerë relevant po punojnë me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Sipas Ahmetit, në bazë të rezultateve të para të hetimit si dhe të atyre të ekzaminimit të vendngjarjes është  ngritur dyshimi e bazuar se tymi mund të jetë shkaktuar nga faktori njeri, saktësisht nga persona të dyshuar që në mënyrë ilegale kanë qenë duke punuar në  kabllo elektrike dhe njësorët e rrymës, të cilat janë të vendosura në ndërtesat në fjalë.

“Policia ka shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar. Në këtë rast pasoja në njerëz nuk ka pasur, janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme material”, ka përfunduar Ahmeti.

KALLXO.com raportoi më herët për zjarrin në Prishtinë.