Policia ende nuk ka gjurmë të të dyshuarit për plagosjen e kushëririt të Behgjet Pacollit

Më shumë se një muaj janë bërë që nga plagosja e kushëririt të Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit, Osman Pacollit.

Më 17 shtator të këtij viti, Osman Pacolli u plagos me tre plumba në dy këmbët nga një person.

Motivi i plagosjes nuk është bërë ende i qartë, ndërsa policia po vazhdon të kërkoj të dyshuarin e kësaj ngjarjeje.

KALLXO.com ka pyetur policinë për rastin, ku në një përgjigje Zyra për Informim e Policisë së Rajonit të Prishtinës ka thënë se policia po zhvillon ende hetimet ndërsa i dyshuari ende është në arrati.

“Lidhur më këtë rast janë zhvilluar hetimet në  koordinim me Prokurorin e lëndës, i dyshuari është kërkuar në shtëpinë e tij dhe në vendin e punës. Kallëzimi penal ndaj të dyshuarit është dorëzuar në Prokurorinë përkatëse ndaj të dyshuarit të njohur, dhe nga gjykata kompetente është lëshuar Urdhër arresti. I dyshuari gjendet ende në arrati”, ka thënë policia për KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar se në orët e mbrëmjes së 17 shtatorit, në një lokal në Prishtinë më saktësisht në lagjen “Bregu i Diellit”, Osman Pacolli ishte plagosur dhe ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

https://kallxo.com/plagoset-familjari-i-behgjet-pacollit/

https://kallxo.com/ne-arrati-i-dyshuari-per-plagosjen-e-kusheririt-te-behgjet-pacollit/

https://kallxo.com/ortopedi-flet-per-plagosjen-e-familjarit-te-behgjet-pacollit/