Policia e Shtetit arreston një person dhe i sekuestron pistoletën

Policia e Shtetit përmes një aksioni po bën kontrolle të vazhdueshme në të gjitha akset rrugore për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, të personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme.

Përmes një njoftimi, Policia e Elbasanit ka thënë se është duke bashkëpunuar me Forcat e Reagimit të Shpejtë në Fier për rritjen e parametrave të sigurisë.

Gjatë kontrolleve, është kapur dhe arrestuar në flagrancë një shtetas që qarkullonte me armë zjarri me vete.

Personi i arrestuar kishte masën arrest shtëpiak nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë.

Në këtë rast është sekuestruar një armë zjarri pistoletë me 15 fishekë si dhe një automjet.

“Në Lagjen ‘5 Maji’, në Rrugën ‘Lef Nosi’ në Elbasan, shtetasi Kelmend Xhaferri, 36 vjeç, banues në lagjen ‘5 Maji’ Elbasan, i cili drejtonte një automjet tip ‘Porsh’ me targa AA 040 UD, në momentin që është ndaluar nga shërbimet e policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet por s’ka mundur dot, pasi është arrestuar në flagrancë nga Policia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndaj 36 vjeçarit, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpiak për veprën penale “prodhim e mbajtje pa leje të armëve sportive”.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan për veprat penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.