Policia e Pejës me kërkesën e Prokurorisë ndalon qytetarin që hoqi tabelën me emrin e priftit

Prokuroria e Pejës ka reaguar pas publikimit të pamjeve, në të cilat shihet një banor i Buqanit duke e hequr tabelën me emrin e një rruge të këtij fshati.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha për KALLXO.com se Prokuroria ka autorizuar Policinë që personi i shfaqur në video të shoqërohet në Polici.

“Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës që personin në fjalë ta shoqërojë në stacionin policor dhe të njëjtin ta intervistojë lidhur me veprimet e tij”, tha Nikçi.

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Policia e ka intervistuar personin e shfaqur në pamjet e përhapura në rrjete sociale.

“Personi i cili është shfaqur në pamjet e postuara në rrjete sociale është intervistuar nga ana e Policisë dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha për KALLXO.com Shkodran Nikçi.

Sot gjatë ditës në rrjete sociale është publikuar një video ku shihet një qytetar i Buqanit duke e hequr tabelën me emrin e një rruge.

Në këto pamje, qytetari thotë se është ndjerë shumë keq kur e ka parë që rrugës përballë derës së familjeve të disa dëshmorëve i jepet emri “At Luigj Palaj”.

Kjo, shton ai, e ka brengosur dhe prandaj nuk do të jetë më. Dhe, qytetari e heq tabelën me emrin “At Luigj Palaj”, duke shtuar se rruga ka mundur të mbajë emrin e ndonjë dëshmori tjetër.

Në rrjete sociale është raportuar se personi në fjalë nuk është hera e parë që bën këso veprime, të drejtuara sipas tyre ndaj komunitetit katolik të kësaj zone.