Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës u Kërkon Falje Deputetëve

Policia e Kosovës u ka kërkuar falje dhe mirëkuptim për “gabimin teknik” sa i përket aspektit të përpilimit dhe printimit të formularit për aplikim për policë, në të cilin nuk ishin shënuar emrat e komuniteteve egjiptian dhe ashkali.

Kjo kërkimfalje nga Policia ka ardhur pas reagimit të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha dhe Etem Arifi, të cilët kishin shprehur kundërshtimin e tyre ndaj diskriminimit që u është bërë këtyre dy komuniteteve në formularin e konkursit për pranimin e pjesëtarëve të rinj të Policisë.

Në reagimin e saj, Policia siguron se do të ndërmerren masa të menjëhershme në funksion të përmirësimit të gabimeve teknike dhe, sipas saj, formulari i korrigjuar do të jetë në dispozicion që nga dita e nesërme me përfshirjen edhe të komuniteteve Egjiptian dhe Ashkali.

http://kallxo.com/deputeti-reagon-ndaj-konkursit-diskriminues-te-policise/

Policia e Kosovës thekson se zbaton parimet e mosdiskriminimit për të gjitha komunitetet në Republikën e Kosovës dhe lavdëron punën e pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe ashkali, “të cilët në vazhdimësi kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri detyrat dhe autorizimet në funksion të zbatimit të ligjit”.