Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Policia e Kosovës tregon planin për zgjedhjet në Veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë të përgatitur për sigurinë e procesit të zgjedhjeve te nesërme në 4 komunat e veriut të vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës do të mbahen nesër në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zvecan.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia thotë se urdhërin operativ për këtë proces zgjedhor e kanë përgatitur me kohë.

Policia thotë se për qëllim kanë krijimin e një klime të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët gjatë procesit zgjedhor.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e komunave respektive gjatë tërë procesit zgjedhor, Mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para – gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, Monitorimi / mbulimi me policë, i fushatës parazgjedhore, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike (RQP-së) në tubime paralektorale të partive politike/ kandidatëve, procedimi i kërkesave dhe raporteve të monitorimit sipas ligjeve pozitive të vendit”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës dhënë për KALLXO.com

Gjithashtu Policia thotë se do të ndërmarrin të gjitha masat procedurale e penale ndaj çdo kujt që bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale (VP) kundër të drejtës së votimit dhe ndërrmarja e të gjitha masave proceduralo/ penale ndaj çdokujt që bie në ndesh me ligjet e RKS-së që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokrate në koordinimin dhe bashkëpunimin të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në Ligj”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sot gjatë ditës, shefi i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte shkruar se Prishtina pritet të dërgojë një numër të madh të policëve për zgjedhjet në veri, që sipas tij kanë për qëllim frikësimin e votuesve.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës sapo ka bërë të ditur për KALLXO.com se e ka refuzuar kërkesën e Marko Gjuriqit për ta vizituar Kosovën gjatë ditës së nesërme.

https://kallxo.com/gjuriqit-i-refuzohet-kerkesa-per-vizite-ne-kosove/