ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Policia e Kosovës po mbledh informacione për krimet e luftës

Organizata joqeveritare YIHR KS ka mbajtur debatin publik “Drejtësia Tranzicionale dhe Trashëgimia e Luftës”, i cili u organizua në kuadër të Javës së Drejtave të Njeriut.

Debati, i cili u moderua nga autori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi, u fokusua në pasojat e luftës te shoqëria kosovare.

Agim Vitia nga Policia e Kosovës tha se janë duke punuar që të gjitha veprat penale gjatë luftës së fundit në Kosovës të zbulohen.

“Me komunën e Gjakovës kemi filluar në këto tre muajt e fundit edhe kemi dalë në terren edhe kemi shkuar fshat për fshat, lagje për lagje e në rrugë. Jemi mundu që me i evidentu që të gjitha veprat penale të cilat kanë ndodhë në periudhën Janar 1998 deri në qershor 1999 ditë e natë pa pushu se çfarë ka ndodhur në atë periudhë. Kemi intervistuar vazhdimisht njerëz dhe po shpresoj që me bashkëpunimin e të gjithë akterëve të tjerë, të cilët duhet me qenë këtu siç janë gjykata, prokuroria, kemi me arrite me bo diçka”, tha Vitija.

Ai tha se kanë një plan operativ për gjithë territorin e Kosovës, ku shtoi se po identifikojnë vendin e ngjarjes duke intervistuar dëshmitarë më qëllim të mbledhjes së informacioneve.

“Kemi plan operativ për krejt Kosovën por kemi filluar me komunën e Gjakovës pasi që është edhe më e dëmtuara , pastaj kemi vizituar komunën e Junikut, të Deçanit dhe jemi duke vazhduar edhe në komunat tjera. Jemi duke formuar ekipet për të dalë në terren dhe shkojmë i identifikojmë vendin e ngjarjes ku ka ndodhë, intervistojmë dëshmitarë dhe po mundohemi me i mbledh të gjitha informacionet. Gjatë intervistave që ne i bëjmë më qytetarët mundohemi t’i gjejmë edhe kryerësit e veprave. Ato raste kryesisht të veprave penale janë identifikuar nga dëshmitarët, nga familjarët e viktimave e që ne e kemi pak më lehtë”, tha zyrtari i Policisë së Kosovës.

Sipas Vitisë, kanë një afat kohore që deri në qershor të vitit 2019 të përfshijnë gjithë Kosovën dhe që sipas tij, do të këmbëngulin të kuptojnë saktë se çfarë ka ndodhur në periudhën janar të vitit 1998 dhe deri në qershor të vitit 1999.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), Bekim Blakaj tha se nga më shumë se 13 mijë të vrarë, mbi 10 mijë janë civilë.

Ai nuk e përjashtoi faktin se pas 20 viteve është shumë e vështirë që të zbulohen krimet e luftës. Blakaj tha se po mungon edhe vullneti politik.

“Kemi publiku një pasqyrë të gjykimeve për krime lufte nga viti 99 e deri më tani në Kosovë. Vetëm gjatë kësaj periudhe njëvjeçare kemi vetëm 39 persona për krime. Nga 13 mijë e 545 persona të vrarë gjatë periudhës së luftës mbi 10 mijë prej tyre janë viktima civile. Nëse vazhdohet me këtë sistem ndoshta edhe disa raste do te identifikohen. Koha kalon dhe çdo ditë me kalimin e kohës po është më e vështirë dhe ekipi i tyre e kanë edhe më vështirë t’i zbulojnë tash pas 20 viteve, t’i hetojnë rastet e pastaj që me ngrit aktakuzë sepse duke marrë parasysh shumë faktorë ka fare pak evidenca, prova. Duhet që sa më shumë përgjegjës për krime lufte të gjenden nga paneli gjyqësor e çka është më e rëndësishme ne si shoqëri, që të luftohet mos ndikueshmëria. Tribunali i Hagës ka iniciuar disa procese por që është e pamjaftueshme por sipas të gjithave gjasave nuk po ekziston një vullnet politik”, tha ai.

Linda Gusia, sociologe, u shpreh se që nga paslufta nuk është bërë asgjë në zbardhjen e rasteve. Ajo akuzoi Policinë e Kosovës për “zvarritje të krimit”.

“Ne kemi pasur përherë një gjendje të jashtëzakonshme dhe shumë emergjente dhe përherë e kemi kaluar dhe asnjëherë nuk jemi ndalë me u ballafaquar me atë që ka ndodhë. Kosova nuk ka qene shtet, NATO ka bombarduar, na është dashur një kohë e gjatë që me u shpall shtet. Ne jemi në një situatë ku jeta jonë e përditshme ka vazhduar më kriza e me u marrë me atë që po ndodhë dhe e kallumja është vetëm një farë mllefi i madh të cilin po e mbajmë e nuk jemi duke e trajtuar. Mendoj që asnjëherë nuk jemi ndalë si shoqëri dhe mendoj qe kjo mbajtje prej UNMIK-ut e tash në policinë e Kosovës veç e ka ‘zhagit’ krimin”, tha Gusia.

Ajo në këtë debat shtoi se drejtësia për kosovarët është një akt simbolik, e që sipas saj shoqëria civile po përballet me neglizhencën e politikaneve të Kosovës.

“Drejtësia për ne është akt simbolik. Nëse shohim rastin e Afrikës së Jugut se si e kanë ballafaquar ka qenë krejt ideja që me u kriju viktimave hapësirë për me u shpreh pasi që është shumë e rëndësishme me ia njoftë dikujt dhimbjen. Na si shoqëri me neglizhencën e politikaneve tanë, e kanë shfrytëzuar të kaluarën vetëm kur u ka konvenuar por asnjëherë nuk e kanë krijuar hapësirën për ballafaqim e asnjë premtim më të vogël të drejtësisë”, shtoi sociologia Linda Gusia.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut u marshua në Prishtinë me 10 Dhjetor, me një aktivitet të organizuar nga Avokati i Popullit, të përkrahur nga GIZ-i dhe BIRN Kosova dhe organizata të tjera joqeveritare.