Policia e kërkon Gruevskin pas urdhër-arrestit

Një gjykatë maqedonase të hënën lëshoi një urdhër arresti për ish-kryeministrin Nikola Gruevski pasi ai nuk u paraqit në burg për të kryer dënimin e tij me dy vjet burg për blerjen e paligjshme të një Mercedesi luksoz.

Me urdhër të Gjykatës Penale në Shkup, policia maqedonase konfirmoi të hënën se ata kishin lëshuar një urdhër arresti për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i cili duhet të kryejë dënimin e tij me dy vjet burg.

Urdhri u lëshua pasi Gjykata e Apelit të premten e kaluar refuzoi apelin e ish-kryeministrit për një shtyrje të dënimit të tij.

Gruevski ishte i paarritshëm gjatë fundjavës dhe më herët të hënën që korrieri i gjykatës t’i dorëzonte atij vendimin, gjë e cila duhet të kishte bërë që ai të raportonte menjëherë në burgun e Shuto Orizarit pranë Shkupit.

Në rastin gjyqësor të koduar me emrin “Tanku”, Gruevski u shpall fajtor për blerjen në mënyrë të paligjshme dhe sekrete të një Mercedesi 580,000 euro në vitin 2012 nga ish-ministrja e brendshme Gordana Jankuloska, të cilën ai planifikonte ta përdorte për qëllimet e tij.

Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e tij me dy vjet burg më 5 tetor.

Gruevski ka këmbëngulur që ky dhe raste të tjera gjyqësore kundër tij janë një sajim politik, i ngritur nga qeveria e re e udhëhequr nga Bashkimi Social Demokrat, SDSM.

Gruevski shërbeu si kryeministër i Maqedonisë nga viti 2006 deri në vitin 2016. Partia e tij e djathtë VMRO DPMNE u rrëzua nga pushteti në vitin 2017 pas një krize të zgjatur politike në të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u akuzuan për imponim të sundimit autoritar dhe përfshirje në korrupsion.