Foto-Ilustrim

Policia asgjëson mbi 2 mijë bimë kanabis në Krujë

Në Krujë janë asgjësuar 2 mijë e 80 bimë kanabis sativa.

Me anë të një njoftimi, Policia e Shtetit ka thënë se pas një hetimi proaktiv disa mujor, në vijim të operacionit “Krasta 2” specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë në Krujë asgjesuan 2,080 bimë Cannabis Sativa.

Operacioni ishte ndërmarrë nën bashkëpunimin mes Komisariatit të Policisë Krujë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, Forcave Operacionale dhe FLO të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit tre persona janë ndaluar ndërsa një është liruar.

Shtetasit, F. Z., 33 vjeç , M. Z., 42 vjeç,  A.B., 42 vjeç , dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët vazhdon hetimi, në vendin e quajtur Krastë kanë kultivuar në disa ambjente të hapura në brendësi të pyllit 2,080 bimë narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjesuan me anë të djegies.

“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve F.Z, M.Z dhe A.B parashikuar në nenin 284/ 3, 25 të Kodit Penal; “Moskallëzimi i krimit” në ngarkim të shtetasit G.Sh., parashikuar në nenin 300 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Krujë, në bashkëpunim me efektivet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, FLO të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat policore dhe në zbatim të plan veprimit për kontrollin e territorit për kultivim të bimëve narkotike, në Njësinë Administrative në Nikel, në ambient të pyllëzuar gjetën dhe asgjesuan 675 bimë Cannabis Sativa.

Policia ka thënë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.