Foto: Ilustrim

Policia arreston tre persona dhe konfiskon rreth 19 kilogramë substanca narkotike

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë pas një operacioni të zhvilluar në Gjilan dhe në Gjakovë, me qëllim luftimin e trafikimit me narkotikë, ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar mbi 19 kilogramë substancë narkotike.

Policia ka njoftuar se operacioni policor në rajonin e Gjilanit është realizuar në fshatin Novosellë të komunës së Kamenicës, i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie rreth 19 kilogramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe arrestimin e dy personave I.R, 57 vjeçar dhe A.R 30 vjeçar

“Të  dyshuarit janë arrestuar pasi të njëjtit janë zënë në flagrancë duke e shkarkuar një sasi të substancës narkotike nga vetura ‘Golf 5 ‘, të cilën e posedonin të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shteti dhe Gjyqtari i Procedurës paraprake, me urdhër të të cilëve është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit në podrumin e shtëpisë u  janë gjetur edhe dy paketime me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’.

Ndërsa në rajonin e Gjakovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë  gjatë operacionit të përbashkët gjatë një bastisje ka sekuestruar një armë dhe disa fishekë.

Policia ka njoftuar se i dyshuari L. A, 30 vjeçar është arrestuar dhe ndaluar në qendrën e paraburgimit në Gjakovë.

“Gjatë operacionit të përbashkët, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar rreth 19 kilogram substancë e dyshuar narkotike, vetura ‘Golf 5′, një kallashnikov,  24 fishekë, një peshore elektronike dhe një telefon samsung”, thuhet në njoftimin e policisë.