Policia arreston në flagrancë zyrtarin e Gjykatës së Prishtinës

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë e Policisë sot ka pranuar një informatë lidhur me një zyrtar të Gjykatës Themelore, i cili dyshohet ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Zyrtari në fjalë dyshohet se i kishte kërkuar një qytetari para për t’i ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një lëndë.

Pas pranimit të Informatës në fjalë dhe verifikimeve profesionale, Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke përfshirë edhe aplikimin e metodave të sofistikuara teknike të hetimit, dhe kanë arritur që të dyshuarin (zyrtar i Gjykatës) ta arrestojnë në flagrancë.

Personi i dyshuar për veprat penale të korrupsionit si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.