Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Policia arrestoi një person me 200 mijë euro, armë e granata

200 mijë euro dhe armë i janë gjetur një të dyshuari në Prizren, i cili është arrestuar nga Policia.

Sipas raportit të Policisë, paratë dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Një koordinim i mirë në mes të njësiteve policore ka bërë të mundur arrestimin e një të dyshuari i cili po lëvizte me automjet në rrugën “Zahir Pajaziti” diku rreth  orës 20:00.  Mbi bazën e informacioneve inteligjente vetura është ndaluar nga policët e antidrogës të cilët gjatë kontrollit të automjetit kanë  gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “GLOC”. Duke u mbështetur në informacionet paraprake është kërkuar bashkëpunimi i prokurorisë dhe gjykatës për bastisjen e banesës së pësonit të dyshuar me ç ‘rast është gjetur dhe sekuestruar një granatë dore, 154 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe  200 000 euro kesh të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar nën masën e arrestit policor.

“Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë së shtetit për procedura të mëtejme hetimore. Rasti po hetohet nga hetuesit rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Policisë.