Sulm kibernetik - Foto: REL/Reuters

Policia apelon bizneset për kujdes nga vjedhjet online përmes viruseve

Policia e Kosovës ka ngritur alarmin lidhur me mashtrimet që janë duke ndodhur përmes krimeve kibernetike.

Këto mashtrime sipas njoftimit të Policisë po u kushtojnë bizneseve me dëme financiare pasi po u vidhen të dhënat përmes viruseve në kompjuterët e tyre.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës e sheh të nevojshme që të nxjerrë disa njoftime/rekomandime për kompanitë e bizneseve

Kohëve të fundit janë duke u raportuar raste nga pronarët e kompanive të bizneseve të ndryshme që kanë të bëjnë me një formë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, ku si pasojë shkaktohet dëm i konsiderueshëm.

Personat e dyshuar arrijnë në forma të ndryshme të sigurojnë të dhëna për kompanitë e biznesit siç janë: qarkullimin e mallrave, faturat, pagesat e ndryshme, komunikimet përmes kompjuterit (e-mail-ave) etj.

Këto të dhëna i përpunojnë apo i falsifikojnë në atë mënyrë që të jenë të besueshme dhe pastaj fillojnë me mashtrim.

Bazuar në rastet e deritanishme, personat e dyshuar kanë arritur që të ndërhyjnë në komunikimin përmes internetit (shkëmbimin e e-mail-ave) të kompanive biznesore (njëra në Kosovë e tjetra jashtë Kosovës), duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarive si dhe duke u paraqitur në emër të kompanisë tek e cila është dashur të transferohen mjetet për pagesë të mallit.

Fatkeqësisht, në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr jashtë Kosovës, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar gjithashtu në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejt mashtrimi.

Teknikisht, kjo formë e krimit është e mundur të kryhet, por duhet të krijohen kushtet paraprake.

Një gjë e tillë mund të bëhet përmes infektimit me ndonjë virus të kompjuterëve të kompanive, ku më pastaj arrihet qasja në kompjuter dhe njëkohësisht në të gjitha dokumentet dhe të dhënat që i posedon kompjuteri përkatës.

Infektimi i kompjuterit me virus bëhet në disa mënyra, si: përmes materialeve të bashkëngjitura në e-mail-a të falsifikuar, përmes USB-ve etj.

Hetimi dhe identifikimi i kryeseve të këtyre veprave nuk është i lehtë, gjithashtu më komplekse situatën e bën edhe natyra e rasteve ku pothuaj të gjitha janë ndërkombëtare.

Menaxhimi i biznesit natyrisht se është përgjegjësi individuale e çdo pronari të biznesit, por duke pasur parasysh rastet që kanë ndodhur, Policia e Kosovës e sheh të nevojshme që të nxjerrë disa rekomandime për kompanitë e bizneseve me qëllim që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.