Ilustrim

Policia apel vozitësve për kujdes për shkak të vështirësive në rrugë

Policia e Kosovës ka bërë apel të qytetarët që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent, për shkak të vështirësive për qarkullim si pasojë e reshjeve të borës në vend.

“Ndryshimet e fundit klimatike, përfshirë edhe reshjet e borës në disa zona të vendit, po krijojnë vështirësi në qarkullim dhe rrugët potencialisht bëhen më të rrëshqitshme. Prandaj, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent”, thuhet në komunikatë për media të PK-së.

Policia shton se kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor.

Po ashtu, tutje thuhet se Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me qëllim të parandalohen aksidentet rrugore.