Ilustrim: Drogë e konfiskuar në një aksion të mëhershëm të Policisë - Foto: Policia e Kosovës

Polici i Kosovës Kapet me Mbi 10 Kilogramë Drogë

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Anti-Drogës e Mitrovicës Veriore ka arrestuar mbrëmë tre persona për posedim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i të dyshuarve ka ndodhur në fshatin Shupkovc të Mitrovicës.

Arrestimin e të dyshuarve e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurorja e Prokurorisë në Mitrovicë, Zejnie Kela.

“Janë arrestuar 3 persona për narkotik. Tash jemi në fazën e hetimeve dhe nuk mund të them asgjë më shumë“, tha ajo.

Ndërkohë, KALLXO.com ka marrë vesh se njëri prej të arrestuarve në këtë rast është pjesëtar i Policisë së Kosovës, saktësisht pjesëtar i sektorit të Mbrojtjes së Afërt.

Tre të dyshuarit gjendeshin në dy vetura të ndryshme.

KALLXO.com ka marrë vesh se në veturën “Audi” të cilën e drejtonte pjesëtari i Policisë së Kosovës është gjetur droga në sasi prej mbi 10 kilogramë.

Ndërsa, dy të arrestuarit e tjerë ishin në një veturë tjetër, e cila e shoqëronte veturën e drejtuar nga zyrtari i Policisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për rastin e një zyrtari tjetër të Policisë, Shemsedin Geci, i cili ishte kapur duke transportuar drogë.